E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jehona e mediave ndërkombëtare për aplikimit e Shqipërisë në BE

Shqipëria aplikoi dje për statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kryeministri Sali Berisha dorëzoi në Pragë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.

Aplikimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka tërhequr vëmendjen e medias botërore.

Radioja “Dojçe Vele”: Shqipëria aplikoi për pranim në BE, pas takimit në Pragë mes kryeministrit çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit kryeson BE-në, dhe kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Shqipëria pason shtetin ballkanik të Malit të Zi, i cili aplikoi në dhjetor dhe mund të ndiqet nga Serbia këtë vit.

Radioja “BBC”: Shqipëria paraqiti sot (dje) zyrtarisht kërkesën për statusin e vendit anëtar të Bashkimit Evropian. Kërkesa u paraqit nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në Pragë, për presidentin e  Këshillit të Bashkimit Evropian, Mirek Topolanek.

Berisha theksoi se ''ky hap është një akt me rëndësi përcaktuese në procesin e anëtarësimit të vendit''. Ai falënderoi opozitën shqiptare për kontributin që ka dhënë duke siguruar se kjo kërkesë nuk është një akt elektoral.

Radioja “Europa e Lirë”: Shqipëria dorëzoi sot (dje) kërkesën për aplikim në Bashkimin Evropian, në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin e Çekisë, në Pragë. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ia ka dorëzuar këtë kërkesë homologut të tij çek, Mirek Topolanek. Ai rikujtoi se “procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka kriteret dhe kushtet e veta specifike”. “Shqipëria ka kaluar nëpër ndryshime të jashtëzakonshme dhe të mahnitshme dhe jam i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën udhëheqjen e Sali Berishës”, tha Topolanek duke rikujtuar këtu edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është “projekti më i shkëlqyer për të ardhmen e popullit shqiptar dhe vendit të tij”.

Agjencia italiane e lajmeve “ANSA”: Shqipëria paraqiti sot (dje) në Pragë kërkesën zyrtare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri çek Mirek Topolanek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij shqiptar Sali Berisha në oborrin e selisë së qeverisë çeke në Pragë.

Të 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit e firmosur nga Shqipëria në vitin 2006 si premisë e nevojshme për nisjen e tratativave të pranimit  të vendit në familjen e madhe evropiane.

Shqipëria bashkë me Kroacinë u bënë anëtare të NATO-s në fillim të muajit të kaluar.

Agjencia franceze e lajmeve “AFP”: "Një punë kolosale e pret Shqipërinë", deklaroi sot kryeministri çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, pasi kryeministri Sali Berisha paraqiti zyrtarisht sot (dje)  në Pragë aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha përshëndeti këtë moment historik, duke vlerësuar se ky moment "shënon rikthimin e Shqipërisë në familjen e vendeve evropiane". "Në të njëjtën kohë Shqipëria e sheh këtë hap si një detyrë të rëndësishme", shtoi ai në fund të ceremonisë së organizuar në pallatin qeveritar në Pragë.

Gazeta “Wall Street Journal”: Komisioni Evropian deklaroi sot (dje) se mirëpret aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Komisioni, ekzekutivi i bllokut 27-anëtarësh, deklaroi se ishte gati për të përgatitur një raport lidhur me gatishmërinë e Shqipërisë për anëtarësim në BE, nëse vendet anëtare do të kërkojnë një gjë të tillë. "Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres për sa i përket kryerjes së reformave të rëndësishme politike në kuadër të përgatitjeve për integrimin evropian", vlerësoi Drejtori i Përgjithshëm i Koordinimit dhe Zgjerimit në Komisionin Evropian, Michael Leigh përmes një deklarate zyrtare.

Agjencia britanike e lajmeve “Reuters”: Shqipëria aplikoi sot zyrtarisht për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri çek Mirek Topolanek, vendi i të cilit mban kryesimin e presidencës së radhës së BE-së, pas një takimi me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Me aplikimin për statusin e vendit kandidat për në familjen evropiane, Shqipëria pason shtetin tjetër ballkanik, Malin e Zi që aplikoi në dhjetor të vitit të kaluar. Shqipërisë mund t'i duhen ende disa vite deri në përmbushjen e aspiratave të saj për anëtarësim të plotë në familjen 27 anëtarësh evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›