Vlerësimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit Michael Leigh, pas dorëzimit të aplikimit
“Shqipëria, përparime me reformat dhe integrimin, si dhe një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon”
“Shqipëria ka vazhduar të përparojë me reformat kyçe politike dhe me përgatitjen e saj për integrimin evropian. Ajo ka pasur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon”, ka vlerësuar dje midis të tjerave Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Michael Leigh, pas dorëzimit të kërkesës zyrtare nga ana e Kryeministri shqiptar Sali Berisha, mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“Komisioni e mirëpret aplikimin për anëtarësim të paraqitur nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha pranë Presidentit të Këshillit Evropian, Kryeministrit Mirek Topolanek. Sot, Shqipëria kalon një moment historik duke treguar kështu përkushtimin e rëndësishëm të vendit ndaj vlerave dhe parimeve themeltare evropiane. I takon Këshillit të vendosë për më tej. Komisioni është i gatshëm të përgatisë atë që quhet ‘Opinion’ për aplikimin e Shqipërisë nëse Këshilli na fton ta bëjmë këtë”, deklaroi në fillim të fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Michael Leigh.
Më pas ai vlerësoi edhe reformat dhe arritje e Shqipërisë, nën drejtimin e qeverisë Berisha.
“Nën drejtimin e qeverisë shqiptare, Shqipëria ka vazhduar të përparojë me reformat kyçe politike dhe me përgatitjen e saj për integrimin evropian. Që prej vitit 2006, janë zbatuar mirë nenet tregtare të Marrëveshjes së Ndërmjetme. Marrëveshja e Stabilizim Associimit (MSA) hyri në fuqi në prill 2009. Shqipëria ka pasur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Dhe është tashmë në dorë të Shqipërisë të futet në një fazë të re të integrimit evropian duke përmirësuar në veçanti sundimin e ligjit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme në qershor mbetet një kusht kyç”, vlerësoi Leigh.
Aspiratën e Shqipërisë për integrim në BE, e sheh të lidhur me integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor, si pjesë të qëndrueshmërisë dhe begatisë së rajonit.
“Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe begatinë e rajonit si edhe për BE-në. Ato vende që kanë mbetur potencialisht kandidate në Ballkanin Perëndimor do të mund të arrijnë statusin kandidat, me anëtarësimin si qëllim përfundimtar, sipas meritave të tyre, duke përparuar bindshëm me reformat ekonomike dhe politike dhe duke përmbushur kushtet dhe kërkesat e nevojshme”, përfundoi deklarimin e tij Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Michael Leigh.
...