E Diel, 1 Nëntor 2026

PD denoncon mosrealizimet e investimeve nga ana e kryebashkiakut të kryeqytetit

“Modeli i deformuar që Edi Rama ka aplikuar në bashkinë e Tiranës nuk i duhet Shqipërisë”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është i pabesueshëm në premtimet e tij elektorale për shkak se modeli që ai ofron në qeverisjen e kryeqytetit shqiptar Është plot me defekte. Kështu është shprehur dje zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo  Bumçi, duke vënë në dukje një sërë mosrealizimesh në fushën e investimeve nga ana e bashkisë së Tiranës pa asnjë arsye të mirëqenë. 

“Gjatë vitit 2008 bashkia e Tiranës kishte planifikuar të investonte rreth 3 miliard lekë të reja (2,979 miliardë) për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës. Në fund të vitit 2008 bashkia e Tiranës nga 3 miliard lekë investime të parashikuara ka arritur të investojë vetëm  1,7 miliard lekë ose 57.24%. Kjo është e ashtuquajtura qeverisje moderne dhe eficente e bashkisë së Tiranës. Ky është modeli Rama, që investimet e një viti të zgjaten në dy vite. Investimet në infrastrukturë, janë realizuar në masën 59.5 për qind. Çfarë do të thotë së rrugë të cilat duhet të ishin ndërtuar gjatë vitit 2008 i mungojnë qytetarëve të Tiranës. Ose punime të tejzgjatura duke sjellë vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe rritjen e pluhurit dhe ndotjes në qytet. Investimet në sistemin shëndetësor, janë realizuar në masën 38 %. Investimet në shërbimet sociale, janë realizuar në masën 46.1%, pajisje për çerdhe, kopshte dhe qendra sociale. Investimet në strehim, asnjë fond i parashikuar nga ky zë nuk është realizuar. Duke përfshirë këtu fondet me burim të brendshëm dhe të huaj. Çfarë emri ti vëmë kësaj papërgjegjshmërie?”, deklaroi Bumçi. Sipas deputetit demokrat, Kryetari i bashkisë së Tiranës djeg fondet për të pastrehët dhe se “ky është modeli qeverisës Rama, dhe ndjeshmëria e tij ndaj shtresave në nevojë”. “Bashkia e Tiranës me një personel 2 herë më të madh se Ministria e Punëve Publike por me një buxhet investimesh 23 here me të vogël (3 miliard krahasuar me 70 miliard) arrin të kryej vetëm 57% të investimeve përkundrejt 99% të realizuara nga Ministria e Punëve publike. Kjo është qeverisja moderne dhe efiçente e  Rama”, deklaroi Bumçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›