E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, kartat jo falas por sipas skemës qeveritare të subvencionimit

Dështon tentativa e PS për të marrë peng zgjedhjet

Tentativa e opozitës për të bllokuar zgjedhjet me pengimin e procesit të marrjes së kartave të identitetit ka marrë dje fund. Pas disa ditë bisedimesh, ekspertët e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste kanë gati draftin në formë VKM për çështjen e kartave të identitetit. Drafti që do ti paraqitet kryeministrit Berisha menjëherë pas kthimit të tij nga Praga konsiston në një çmim prej 200 lekësh për kartat me të cilat do të pajisen personat që nuk kanë pasaportë. Në një kohë që pjesa tjetër prej 1000 lekësh do të paguhet nga qytetarët pas një periudhe 6-mujore. Në rast se nuk paguhet kjo shumë, atëherë qytetarët do te cilësohen debitorë ndaj shtetit. 

Ndërkaq ekspertët e të dyja palëve kanë përcaktuar se drafti i ri nuk do të prekë skemën e qeverisë për subvencionimin e disa kategorive, si personat me ndihmë sociale, studentët dhe pensionistët, të cilët edhe do të paguajnë një tarifë prej 200 lekësh për tu pajisur me kartat e identitetit. Në këtë mënyrë selia rozë është tërhequr pa shumë bujë nga kërkesa e saj e vazhdueshme për kartat identiteti falas dhe këtu një rol kryesor ka ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar pranë lidershipit socialist. 

Sipas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës, veç personave që janë përfshirë më parën ë vendimin e qeverisë për marrjen e kartave falas apo me subvencionimin e një pjese të kostos, nuk do të ketë shtresa apo grupe të tjera shoqërore, që do të përfitojnë. Në pagesë përfshihet edhe marrja e kuponit në postë. Po ashtu qytetarët e tjerë që nuk gjenden në listën e atyre që s’kanë pasaportë duhet ta plotësojnë në postë formularin, ku do mbahet parasysh se deklarimi bëhet më përgjegjësi penale për mashtrim me subvencione. Deklaratat, sipas marrëveshjes që tashmë ka marrë pamjen e një akti nënligjor të Këshillit të Ministrave, do të verifikohen nga Ministria e Mbrojtjes. Po ashtu në postë do ta marrin kuponin edhe qytetarët që do të votojnë për herë të parë dhe që nuk janë të përfshirë në institucionet arsimore publike, për të cilët qeveria pat nxjerrë më herët masat lehtësuese. Marrëveshja pritet t'i japë një impuls fluksit te qytetareve pranë zyrave të gjendjeve civile, por edhe do të demaskojë përpjekjet e opozitës në rast se ajo do të përpiqet serish të gjejë pretekste të reja për të bllokuar procesin. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›