E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha çon Shqipërinë në paradhomën e Evropës

Kryeministri i Shqipërisë dorëzoi zyrtarisht në Pragë, kërkesën për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Presidenca e radhës e BE-së i vlerëson si të jashtëzakonshme reformat e qeverisë “Berisha”, ndërkohë që fjalë mikpritjeje kanë ardhur nga thuajse të gjitha kancelaritë më të rëndësishme të Unionit


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i dorëzoi dje zyrtarisht në Pragë, Kryeministrit të Republikës çeke, Mirek Topolanek, në cilësinë e Presidentit të radhës të Bashkimit Evropian, kërkesën për anëtarësim në BE të Republikës së Shqipërisë. Akti solemn i dorëzimit nga Kryeministri Berisha, të kërkesës të Shqipërisë për anëtarësim në BE u zhvillua në kopshtin para godinës së qeverisë çeke, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, zoti Michael Leigh, delegacioneve të të dy vendeve dhe përfaqësuesve të medias. 


Kryeministri Berisha, duke i dorëzuar Kryeministrit Topolanek aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, lexoi tekstin e saj, ku ndër të tjera shkruhej. 


“Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 


Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”.


Pas leximit që Kryeministri Berisha i bëri kërkesës zyrtare për aplikimin në Bashkimin Evropian, Kryeministri Topolanek shprehu qëndrimin e tij, duke u shprehur se ,“Sot, Shqipëria paraqet zyrtarisht, me anë të Kryeministrit, kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian”. 


Kryeministri çek u shpreh se nuk ishte rastësi që presidenca çeke e mori në konsideratë kërkesën e Shqipërisë, duke deklaruar se, “Nuk është vetëm sepse presidenca çeke e mori këtë hap dhe sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga përparësitë e presidencës së saj. Procesi i zgjerimit ka kriteret e kushtet  e veta specifike, unë besoj se, në rast se çdo vend do të plotësojë këto kritere, atëherë ai mund të jetë pjesëmarrës i këtij procesi”. 


Duke lënë të nënkuptuar faktin se Shqipëria I ka përmbushur tashmë këto detyrime, Topolanek deklaroi se “Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha”.


Duke kujtuar rrugën e ndjekur nga vendi i tij, Çekia, vend i cili tashmë gëzon presidencën e radhës të BE-së, Kryeministri Topolanek tha se, “Shqipëria është në të njëjtën rrugë, nëpër të cilën ka kaluar edhe Republika Çeke. Sot, ajo është anëtare e NATO-s. Pas ratifikimit të Marrëveshjes ë Stabilizim Asociimit, më 18 maj do të bëhet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe sot, Shqipëria po dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE”. 


Kreu i Presidencës së Bashkimit Evropian bëri të ditur dhe procedurat që vendi ynë do të ndjekë, duke shpjeguar se “Pas dorëzimit të aplikimit do të fillojë procesi standard. Kështu, që pas dorëzimit të aplikimit në duart e mia, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Havier Solana dhe kështu, do të fillojë procesi avis, procesi i shqyrtimit dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së”. 


Duke kujtuar këtu se vendi ka ende një sërë detyrimesh për të përmbushur, Topolanek tha se “përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t’u bërë”. Kryeministri çek nuk e ka fshehur optimizmin e tij, për kurorëzimin e këtij procesi për Shqipërinë, duke deklaruar se “Sot, mendoj se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe unë besoj se ky proces do të kurorëzohet me sukses të plotë dhe kështu, ëndrra e shumë brezave që jetuan në regjimin totalitar do të bëhet realitet”. 


Kryeministri Topolanek ka shprehur garanci të plotë për mbështetjen e plotë të Çekisë përgjatë gjithë këtij procesi, duke deklaruar se “Republika çeke do të qëndrojë përkrah dhe Shqipërisë dhe ta ndihmojë atë edhe pas përfundimit të presidencës çeke të BE-së”.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›