E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri i Metropolit pret 100 gra të burgosura

 

ALMA MILE

“Teatri më tepër se një art, është një qëndrim i njeriut përballë jetës. Ky qëndrim është i shenjtë. Secili është mbret më vete, ndonëse drita sallash fiken përgjithmonë dhe spektatorët janë gjithnjë e më të rrallë. Teatri është një kopsht vishnjash. Një kopsht vishnjesh i besueshëm”. Kjo finale e konceptit regjisorial të dramës së Çehovit iu rikthye ndër mend Kiço Londos, teksa vendosi që këtë vepër ta shfaqë për një grup spektatorësh, tërësisht të veçantë. Kësaj here nuk do të ketë asnjë preferencë. Do të jenë të gjitha, pavarësisht se çfarë kanë bërë, apo se si duken në sytë e “shefave”. Janë plot 100 gra të dënuara në burgun 325, që ditën e diel do të dalin jashtë qelive të tyre për të parë një shfaqje teatri. Bëhet fjalë për një iniciativë të drejtorit të Teatrit të Metropolit, Kiço Londo, të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, për të qenë pranë çdo kategorie sociale. Nën masa të rrepta sigurie, nën mbikëqyrjen e një numri të madh të uniformave blu, gratë e dënuara, do të “zbresin” në qendër të Tiranës, në sallën e re të Teatrit të Metropolit, për të ndjekur shfaqjen “Kopshti i vishnjave”, të dramaturgut rus Anton Çehov, me regji të Kiço Londos. Ndryshe nga aktiviteti normal i teatrit, i cili e mbledh publikun në orën 21.00, shfaqja e veçantë për gratë e burgut do të jepet në orën 19.00, me qëllim që gjithçka të jetë nën kontrollin e plotë. Drejtori Londo thotë se kjo ngjarje i shtohet aktiviteteve kulturore dhe sportive me qëllim rehabilitimin dhe trajtimin sa më human të kësaj kategorie. Kohëve të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka organizuar disa aktivitete të këtij lloji, por ky është padyshim më i madhi në llojin e vet, që do të thotë se edhe përgjegjësia është e tillë. Vetëm një muaj më parë, 20 gra të dënuara të burgut në Rrugën “Ali Demi”, ishin të ftuarat e veçanta të Teatrit Kombëtar. Ato u bënë pjesë e publikut të zakonshëm të teatrit, në një nga shfaqjet e dramës “Filumena Marturano” të Eduardo de Filippo, me regji të Albert Mingës. Kësaj here gratë do të ndjekin një vepër që zë fill në Rusi, e trajtuar në mënyrë bashkëkohore nga regjisori Londo e ku problemet vijojnë të jenë po aq aktuale si dikur. “Ka shumë “Kopshte vishnjesh” që bëhemi gati t’i presim. Çfarë të bëjmë kur “pronarët e rinj” arrijnë. Të tërhiqemi apo të bëjmë aleancë me ta, t’i luftojmë fitimtarët e shekullit që sapo ka filluar. Sot jemi në një betejë vlerash. Vetëm kryeveprat lejojnë t’u afrohemi problemeve që rikthehen”. Ky është koncepti regjisorial i Kiço Londos, qysh kur e mori këtë vepër në dorë për herë të parë. Për ta sjellë atë në kohë, përveç konceptit, ai ka zgjedhur dhe një kast aktorësh relativisht të rinj në moshë, që bashkë me vitet e tyre sjellin një mënyrë të re të së parit të teatrit dhe problemeve të përditshme. Kopshti çehovian, vjen nën interpretimin e aktorëve Eni Jani në rolin e Ljubova Andrejevnës, Alban Krasniqi në rolin e Gajevit, Loredana Gjeci si Varja, Roland Saro, Bledar Naska, Adriana Tolka, Devis Muka, Esela Pysqyli, Genti Deçka, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›