E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kejsi Tola, të hënën drejt Moskës

 

Vetëm pak ditë para udhëtimit drejt Moskës, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardjan Turku priti dje në një takim të veçantë përfaqësuesen e Shqipërisë në Eurovizion, këngëtaren Kejsi Tola dhe autorët e këngës. Ministri Turku u uroi suksese në këtë ngjarje të madhe të muzikës. Tepër e ndrojtur, këngëtarja e re Kejsi Tola, shprehu kënaqësinë e saj për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurosong. “Kam punuar shumë fort dhe shpresoj se do bëj një përfaqësim dinjitoz të vendit tim në Moskë”, - tha këngëtarja. Kejsi Tola do të këndojë në gjuhën angleze këngën me autorë Edmond Zhulalin dhe Agim Doçin, “Merrmë në ëndërr. Ajo do të shoqërohet nga dy këngëtare dhe dy balerinë. Grupi shqiptar do të niset për në Moskë në datën 4 maj. Festivali Evropian i Këngës do të fillojë në datën 12 maj për të vazhduar më pas në datat 14 dhe 16 maj. Kejsi Tola u shpall fituese në festivalin e fundit të këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Kjo është hera e gjashtë që Shqipëria merr pjesë në Festivalin Evropian. E para që prezantoi këngën shqiptare në këtë aktivitet ishte Anjeza Shahini me një këngë të dyshes Zhulali-Doçi, për t’u pasuar nga tre përfaqësime të krijimeve të kompozitorit Adrian Hila dhe autorit të teksteve Pandi Laço si dhe një herë me një këngë të Klodian Qafokut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›