“Jemi kalimtarë, e rëndësishme është çfarë lemë pas”
Skënder Minxhozi
Auron Tare, i apasionuari i arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, njeriu që ringriti Parkun Kombëtar të Butrintit dhe që i është futur politikës aktive, i përgjigjet pyetjeve të MAPO-s për planet dhe projektet e tijZoti Tare, prej vitesh tashmë jeni larguar nga administrimi i Parkut Kombëtar të Butrintit. A ktheheni më shpesh në atë vend dhe çfarë ka mbetur brenda jush nga ajo eksperiencë?
Sigurisht që kthehem shpesh në Butrint pasi kjo zonë vazhdon të jetë pjesë e aktivitetit dhe projekteve, ku unë jam i përfshirë tashme si qytetar. Angazhimi shumëvjeçar në këtë zonë, por në veçanti ajo që arritëm të bënim në fushën e menaxhimit të trashëgimisë kulturore prej vitesh, na jep të drejtën për t’u krenuar, por edhe përgjegjësinë për të monitoruar situatën dhe për të mos lejuar gabime, që do t’i kushtonin rëndë ruajtjes së kësaj pjese të kulturës tonë të përbashkët. Në vitin 1998 të gjithë ne që u angazhuam në Projektin e Butrintit, zgjodhëm sloganin “Butrinti, një Qytet i harruar”, si pjesë e një strategjie për ta nxjerrë këtë vend nga harresa dhe neglizhenca totale, ku ishte zhytur prej një keqadministrimi shumëvjeçar e kronik.
Në vitin 2005, në Kongresin e UNESCO-s në Afrikën e Jugut, me votë unanime, Parku Kombëtar i Butrintit u hoq nga “Lista e 100 vendeve më të rrezikuara” të UNESCO-s, me arsyetimin se Autoritetet lokale kishin treguar një përgjegjësi të madhe në ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e kësaj Pasurie Botërore. Në shtatë vjet, i gjithë ekipi ynë kishte treguar se jo vetëm kishim zhvilluar një projekt unikal në Shqipëri, në mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, por kishim krijuar një model, i cili u vlerësua nga të gjithë partnerët dhe institucionet ndërkombëtare të kulturës botërore. Modeli i Butrintit u mundua të kopjohet edhe në Qendra të tjera arkeologjike, por deri më sot ka rezultuar i dështuar, duke treguar se ata që kanë menaxhuar Ministrinë e Kulturës në këto 4 vite, kanë qenë totalisht të paaftë për të kuptuar se modelit të suksesshëm i duhen gjetur edhe njerëz të përkushtuar.
Eksperienca e Butrintit ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, jo vetëm në krijimin e një modeli në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të ekonomisë lokale, nëpërmjet kësaj trashëgimie por edhe në krijimin e një koshience kombëtare, në përballjen me institucione të huaja apo ekipe arkeologësh të huaj, të cilët shpesh kanë mentalitet neo- kolonialist përsa i përket trashëgimisë kulturore në vendet në zhvillim. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e arkeologëve apo profesorëve shqiptarë të trashëgimisë, i kanë bjerrur vlerat e tyre intelektuale në përballjen profesionale me të huajt, duke bërë që autoriteti i tyre në vendimmarrje të vihet shpesh herë në pikëpyetje nga Institucionet ndërkombëtare.
Projekti Butrinti nuk ka qenë një përjashtim në këtë përballje, por krijimi i një ekipi të rinjsh në Butrint shumë shpejt solli një ndryshim të madh në rolin e vlerësimit të opinionit vendas. Për fat të keq, ky proces u dëmtua rëndë në vitin 2005, kur Qeveria aktuale vendosi të risjellë në krye të Menaxhimit të Butrintit njerëz pa asnjë integritet profesional apo intelektual, të cilët larguan nga Butrinti të gjithë të rinjtë e trajnuar dhe shkolluar jashtë për arkeologji dhe turizëm.
Së fundi kanë dalë në media rezultatet e një Projekti të arkeologjisë nënujore të një ekipi studiuesish shqiptaro-amerikanë, Ekspedite e cila është iniciuar nga ju vite me pare. Përse bëhet fjalë dhe në ç’pikë janë kërkimet?
Ekspedita që ju i referoheni ka të bëjë me një prej projekteve më të rëndësishme të arkeologjisë nënujore në Mesdhe, e realizuar kjo falë një bashkëpunimi shumë të mirë të arkeologëve amerikanë, shqiptarë dhe institucioneve që mbështesin këtë projekt, ku në Shqipëri do të përmendja Ministrinë e Mbrojtjes.
Ky projekt është një ndërmarrje shumë ambicioze, e cila kërkoi mbi shtatë vjet përpjekje të vazhdueshme, për të gjetur partnerët e duhur. Në këtë projekt janë përfshirë institucionet më të rëndësishme të arkeologjisë nënujore në botë, siç është Instituti i Kërkimeve Nënujore në Teksas INA, që janë edhe themeluesit e kësaj disipline shkencore. Gjithsesi, kjo ekspeditë bëhet e mundur falë një mbështetje të madhe të RPM Nautican Foundation dhe themeluesit të saj, një amerikani ekscentrik, mjeshtër i bursave amerikane George Robb, i cili për të tretin vit me radhë po e vendos Shqipërinë në vëmendjen e qarqeve shkencore të arkeologjisë detare.
Vitin e kaluar në mbledhjen vjetore të arkeologjisë nënujore në Nju Jork, kjo ekspeditë, falë zbulimeve të saj dhe teknologjisë së lartë që përdor, është cilësuar si një prej tre ekspeditave më të rëndësishme në Mesdhe. Falë gjetjeve shumë të rëndësishme, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Greqinë dhe Italinë. Këtë vit ne do të fillojmë kërkimet edhe në ujërat e Malit të Zi, duke bërë të mundur që për herë të parë të bëhet një projekt i integruar i bregdetit iliro-dalmat. Por ambicia jonë më e madhe është krijimi i një Muzeu të Arkeologjisë Nënujore në kalanë e Porto Palermos, një muze i cili do të shndërrohej në një magnet shumë të fuqishëm të zhvillimit të turizmit kulturor në Shqipëri.
Sa e mundur është që të merresh me një veprimtari të tillë në një vend si Shqipëria. Jeni ju në kërkim të diçkaje të pazakontë apo është vendi ynë shumë anormal për t’i kushtuar vëmendje trashëgimisë kulturore dhe arkeologjisë?
Një udhëtar anglez që udhëtoi në Shqipëri diku në fund të shek. të 19-të shkruante se “në Shqipëri shekujt nuk ndjekin njëri-tjetrin, ata thjesht bashkëjetojnë midis tyre”. Ky konstatim mjaft realist është i pranishëm edhe sot dhe i përkon mjaft mirë gjendjes aktuale të Trashëgimisë sonë kulturore. Fatkeqësisht gjendja aktuale e pasurive tona kulturore është në shumë e rëndë, kërkohen urgjentisht angazhime konkrete si nga autoritetet shtetërore, ashtu edhe nga e gjithë shoqëria shqiptare. Megjithatë kjo situatë nuk është shumë e ndryshme nga ajo që kanë pasur fqinjët tanë 20 apo 30 vjet të kaluara. Me zhvillimin e turizmit ata e kuptuan se këto pasuri të harruara dhe të dëmtuara në mënyrë të tejskajshme mund të ishin një burim i rëndësishëm ekonomik dhe për këtë arsye ata i kushtuan një rëndësi të madhe ruajtjes dhe promovimit të tyre. Për këtë arsye unë jam optimist se shumë shpejt shoqëria shqiptare do ta kuptojë, që pasuria e saj kulturore mund dhe duhet të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik. Vetëm atëherë do të kemi një ndryshim rrënjësor në këndvështrimin e ruajtjes së kësaj pasurie kombëtare.
Aktualisht jeni anëtar i Asamblesë së PS. Si pajtohet tek personi juaj, tek puna që bëni dhe aktiviteti që keni, ky angazhim politik? Si mund të jetë një i apasionuar pas së shkuarës, historisë dhe arkeologjisë, njëherësh edhe veprimtar politik?
Në angazhimin politik unë erdha pas një ftese të sinqertë të mikut tim të vjetër Edi Rama. Kjo ftesë ishte një mundësi për t’u bërë pjesë e një ekipi, i cili dëshiron të sjellë një ndryshim rrënjësor në shumë aspekte të jetës në Shqipëri. Nëse dëshiron të ndryshosh realitetin me të cilin përballesh apo të kontribuosh cilësisht edhe në fushën e interesave të tua, kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të provuar një sfidë të re. Për këtë arsye unë pranova me kënaqësi këtë angazhim.
Pasioni dhe puna në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë nuk më pengon aspak në angazhimin tim politik, pasi mendoj se ky angazhim do të jetë një mundësi që shumë gjëra t’i bëjmë ndryshe. Nëse angazhimi im politik do të më ndihmonte që të ndryshoja shumë gjëra që nuk shkojnë, atëherë mendoj se kjo përfshirje në politikë do t’ia vlente shumë. Ashtu siç thonë latinët “të gjithë jemi kalimtarë, e rëndësishme është çfarë lemë pas”.
Janë ditë të ethshme për PS dhe politikën shqiptare në përgjithësi. Çfarë pritet nga zgjedhjet e 28 qershorit, sipas mendimit tuaj?
Personalisht mendoj se njerëzit tashmë e kanë të qartë se ekipi që ata zgjodhën me votë në 2005 për të ndryshuar realitetin shqiptar, prodhoi një qeverisje të paaftë. Eshtë një ekip i cili sigurisht ka ndryshuar gjendjen ekonomike rreth vetes, por kurrsesi të atyre që i zgjodhën me votë në 2005. Një ekip që projektoi dhe drejtoi katastrofën e Gërdecit kurrsesi nuk mund të udhëheqë më këtë vend. Mjafton të shikosh korrupsionin e thellë ku ndodhet arsimi shqiptar, mjekësia shqiptare, bujqësia shqiptare, ekonomia shqiptare në përgjithësi, kultura shqiptare, për të kuptuar se ekipi i drejtuar nga zoti Berisha ishte një eksperiment i dështuar. Mendoj se publiku shqiptar nuk do të donte më eksperimente të tilla dhe jam i bindur se me votë plebishitare do të votojë ndërrimin e faqes, duke zgjedhur një ekip të ri që shembullin më të mirë të ndryshimit e ka në modelin e Tiranës.