Berisha me fermerët: Në dogana vendosim çmime që t’ju mbrojmë
Kryeministri Berisha u ka kërkuar dje fermerëve të zonës së Korçës që për çmimin e prodhimeve të tyre të mos marrin parasysh çmimet e vendosura në dogana, por ato të bursave. “Ne do t’u mbrojmë ju, por ju duhet t’i ndiqni çmimet e bursës, në mënyrë që t’u orientojnë për çmimet e prodhimeve tuaja. Ne nuk përcaktojmë çmime, ne absolutisht do të bëjmë çdo përpjekje që ju t’i shisni prodhimet tuaja me çmimet më të leverdishme të mundshme sepse ne qëndrojmë prapa kësaj, por mos gaboni, të ndiqni çmimet në dogana sepse ato janë çmime që ne i vendosim për t’u mbrojtur juve”, tha Berisha. Sipas tij “në rast se dikush mendon se mund të shesë mbi çmimin e doganës, gabon. Çmimi i doganës vihet për t’u mbrojtur ju, në mënyrë që ju të mbushni tregun. Ne qëndrojmë pas interesave tuaja dhe këtë e faktuar. Secili pensionist në Vreshtas dhe në mbarë komunat e Shqipërisë, më 1 maj të këtij viti do të marrë një pension dy herë më të lartë se sa merrte në maj të vitit 2005. Jam këtu për t’u dhënë fjalën se në mandatin e dytë pensionet tuaja do të barazohen me pensionet e qytetit. Ky është qëndrimi ynë”. Kryeministri Berisha vizitoi disa komuna të qarkut të Korçës. Fillimisht, Kryeministri u ndal në komunën Gorishtas, ku inauguroi rrugën Vreshtas- Potgorie, që lidh dy fshatrat e kësaj komune. Berisha u shpreh i sigurt për fitoren e mandatit të dytë, teksa shtoi se në 28 qershor do të përsëritet fitorja e vitit 1992.