E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Bizneset e reja me 5 punëtorë, jo tatim fitimi

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në vijim të turit elektoral për prezantimin e Planit për Veprim është ndalur në qytetin e Elbasanit, ku është pritur nga qindra përkrahës me mjaft entuziasëm. Duke zbardhur detaje të këtij plani, Meta premtoi se do të nxisë punësimin në vend përmes uljes së taksimit të bizneseve. Meta u shpreh se për bizneset e reja që do krijohen do të përjashtohen nga tatim fitimi, në rastet kur punësojnë të paktën 5 punëtorë për tre vitet e ardhshme dhe do të kenë lehtësira të përshkallëzuara për numrin në rritje të atyre që do të punësojnë. Kostoja e jetesës është një nga problemet e mëdha, sidomos për familjet me të ardhura më të pakta. Duke folur për koston e shtrenjtë të jetesës së shqiptarëve, Meta theksoi se LSI do të marrë masa për lehtësimin e saj. Kështu ai u shpreh se “do të subvencionojmë energjinë për 300 kilovat/orë në muaj për konsumatorët familjarë të varfër dhe do të përgjysmojmë TVSH nga 20% deri në 10% për produktet e shportës, si vaji, orizi, makaronat etj. Në qendër të planit të veprimit të LSI-së është dhe nxjerrja e bujqësisë nga gjendja aktuale. “Ne do ta nxjerrim bujqësinë nga kriza, duke subvencionuar deri në 25% përqind për inputet, si farërat, fidanët, pesticidet, plehrat kimike, karburantin për punimet në bujqësi. Ndërsa përsa i takon subvencionimit të njësisë së prodhimit do të jetë deri në masën 20 %”, tha Meta. Ai garantoi se përmes një politike të tillë mbështetëse dhe subvencionuese, synohet që brenda 4 viteve gati 60-70 % e importeve të sotme të zëvendësohen me prodhim vendi. “Vetëm me këtë politikë në fushën e bujqësisë dhe industrisë agropërpunuese, ne do të realizojmë punësimin e 100 mijë shqiptarëve, si në fshat dhe në qytet”, u shpreh Meta. Duke u ndalur te kostoja e jetesës që është një nga problemet më të mëdha të shqiptarëve, sidomos për familjet me të ardhura më të pakta, Meta premtoi tatim 0 mbi të ardhurat për pagat deri 250 mijë lekë të vjetra. Meta u shpreh dhe për liberalizimin e vizave. “Për vizat ne kemi një program të qartë. Në fund të këtij viti hiqen vizat me gjithë vendet e rajonit tonë dhe brenda 1 viti me vendet e BE-së, pasi ka një vullnet për të liberalizuar vizat me vendet e Ballkanit, siç është edhe Shqipëria. Ne garantojmë që brenda 1 viti do të plotësojmë ato standarte konkrete që duhen për liberalizim të plotë të vizave”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›