E Diel, 1 Nëntor 2026

Qetësia dhe stuhia e barometrit të legalitetit

Ndriçim Kulla 

Nëse barometri i legalitetit shënon furtunë, do të thotë se diçka e rëndë po ndodh, në qeverisjen dhe ndërgjegjen e qytetarëve diçka që shprish raportin, që të dyja kanë me të drejtën dhe drejtësinë, që i bën indiferente ndaj rishkrimeve të vazhdueshme dhe kapricoze të ligjeve dhe kompetencave; diçka që moleps jo vetëm raportin tonë me demokracinë, por edhe kërkesën e aq shumëpërfolur të stabilitetit dhe sigurisë së institucioneve”. Madje, studiuesit përcaktojnë edhe etapat që mund të formësojnë një rrugë të tillë. E para konsiston në zbatimin e thënies se “kur pllakosin emergjenca të mëdha, respektimi me përpikëri i të gjitha rregullave bëhet frenues”. E në kë rast, fare mirë emërtimi i një emergjence të tillë mund të bëhej kriza e vërtetë ekonomike që ka mbërthyer botën. Kurse e dyta, do të qe edhe më e rëndë, nëse do të mendohej se “kur një Qeveri arrin të fitojë një mandat të gjerë e të fortë nga elektorët, ajo ka të drejtën ta qeverisë fuqinë pa pengesa e rrugëzime”, duke lënë shumë pak hapësirë “për kontrollet në punë e sipër”.
Nëse do t’i përthyenim mësimet që na jep filozofia dhe politologjia moderne në eksperiencën shqiptare, do të shikonim se legaliteti, po të vazhdojë të trajtohet në mënyrën e derimësotme, do të rrezikonte të transformohej në një koncept shumë pak instruktiv, e madje ndoshta dhe destruktiv. E kjo, për faktin se nuk është instruktive, por përkundrazi destruktive përtacia e zakonshme e konsiderimit të legalitetit si virtyt i natyrshëm i së djathtës, e joshjen për ilegalitetin si ves tipik të së majtës. Përkundrazi, është ngërthim në një  përtaci të memories historike, para së gjithash në atë lloj ecejake të zhurmshme, monotone dhe pa shije te medias sonë, që synon të ndajë botën politike shqiptare  në një të djathtë të “dashuruar” pas rregullit legal dhe një të majtë të joshur e të tërhequr nga një lloj drejtësie ekstra-juridike, apo anasjelltas. Kjo ndarje është historikisht e pasaktë, por vetëm për hir të ndjesisë së fajit, me afrimin e zgjedhjeve, bëhet e pranishme në shumë diskutime të analistëve tanë të së majtës. Përkundrazi, ndarja midis një legaliteti përjashtimisht formal dhe një legjitimiteti ekstra-juridik ka një traditë të fuqishme, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, e një gjë e tillë ka lindur që në fillim të viteve ‘800, në Restaurizacionin që vijoi Revolucionin Francez. Po megjithatë, parësia që i jepet legjitimitetit nga ana e shumicës është një tundim konstant, ashtu siç konstante është dhe thirrja për të ndihmuar emergjencat e këtij lloji: edhe pse diçka e tillë mund të ndodhë për motive fisnike, siç ishte rasti i De Golit, i cili dy herë vendosi në plan të parë legjitimitetin. Së pari më 1940 kur në emër të Rezistencës, denoncoi nga Londra legalitetin e qeverisë së Petenit. E pas kësaj, më 1958 kur diktoi një kushtetutë të re për të anuluar partitokracinë stanjante të Republikës së Katërt. Vetëm e shkuara antifashiste e shpëtoi nga akuzat për grusht shteti. Shembulli i De Golit është i rëndësishëm pikërisht për të dëshmuar natyrën amfibe (fisnike dhe të rrezikshme) të konceptit të legjitimitetit. Po njëlloj, prej këtij përshkrimi të shkurtër historik, kuptohet se instinkti për të vënë në diskutim legalitetin është një ves antik, qoftë i majtë, qoftë i djathtë, duke bërë shpesh paraqitjen e vet në mënyrë të qartë. Aq më tepër që në raportet shqiptare me legalitetin janë vënë re gjithmonë veprime, që i kundërvënë vendin real atij legal. Problemi më i madh është se këto veprime janë të dukshme si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, për të shpjeguar kësisoj strabizmin e sjelljeve që nëpërduken shpesh, apo vlerësime përçmuese e reagimeve kolektive që nuk cakëzohen në ndarjen e zakonshme politike. Mirëpo këto mënyra strabike e konformiste të menduari, më pas çiftëzohen me vesin e abstragimit që mbizotëron  në diskutimet e analistëve tanë, ves ky që na pengon të shohim se si po transformohet bota me ritme shumë të shpejta, veçanërisht në materien e legalitetit dhe legjitimitetit.
Edhe “shpirti i pajtimit, bashkimit” midis qeverisë dhe opozitës invokohet në kohët apo epokat e turbullta, duke përdorur kimerën e popullit uniform e të mirë për të korruptuar demokracinë nëpërmjet ekstremizimit të saj. Dhe për ta korruptuar deri në atë pikë sa t’i mungojë edhe vetë qëllimi. Të thyesh rregullin e ndarjes së pushteteve, nuk jep më siguri, po përkundrazi, redukton e dobëson ndjenjën e detyrës së çdo qytetari. Nuk jep as paqe civile, sepse ngacmon tensionet dhe imuniteti i personave me detyra të larta qeverisëse nuk i bën këta të fundit me autoritet në sytë e njerëzve. E në themel së të gjitha këtyre shtrembërimeve të demokracisë qëndron bindja se mandati popullor është gjithçka, e kush e mishëron një gjë të tillë është i çliruar nga ligjet, imun nga sanksionet; E më tej, bindja se mandati i dhuron jo vetëm të drejta të veçanta, por dhe një çmim suplementar legjitimiteti ligjvënësit dhe ekzekutivit të tij. Ja, e tillë kthehet demokracia pa mbretërinë e sundimit të ligjit, një e keqe kjo e trashëguar prej viteve të tëra të sundimit të regjimeve autoritare, por që edhe klasa jonë e sotme demokratike nuk e vendos në qendër të vëmendjes së saj politike; në një kohë që ky duhet të jetë njëri nga flamujt e fushatës se sotme elektorale për secilën palë. E kjo për faktin se caku ndarës nuk është aspak midis së majtës dhe së djathtës, as midis demokratëve dhe jo demokratëve, por midis demokracisë liberale dhe ekstremizmit demokratik: për të parën çështje qendrore është mënyra se si ushtrohen pushtetet për të shmangur abuzimet, ndërsa për ekstremizmin demokratik gjëja më thelbësore është se kush i ushtron ato. Në këtë prizëm, të dyja palët e politikës sonë duken aspak të strukturuara dhe të pasuruara me mjete për të përballuar dhe zgjidhur dilemën legalitet-legjitimitet, e për ta bërë të tyren atë që pat shtruar Bobbio më 1984: “Shteti liberal është parakushti dhe premisa jo vetëm historike, por edhe juridike e shtetit demokratik”. Pikërisht për këtë arsye, e jo për pedantizëm e shije për teori, që lipset ta thellojnë e ta propagandojnë dilemën legalitet-legjitimitet. E kjo sepse Shqipëria ka aq shumë nevojë për një vijueshmëri që të arrijë t’i japë më në fund shtetit atë lloj autoriteti që ende nuk e ka. E pikërisht pse ngjarje të turbullta në zbatimin praktik të kësaj dileme kanë ndodhur, dhe ka ardhur koha urgjente, që të kemi kujtesë dhe zgjuarsi në praktikimin e saj. Kujtesë, pse ajo pohon që katastrofat më të mëdha shpesh ndërtohen mbi gjëra të menduara keq. Ndërkohë, që zgjuarsia kërkon që thyerjet e rregullit mund të jenë mirëbërëse (siç qe rasti i De Golit), por vetëm me një kusht: që duke e thyer atë, të mos e kurojmë të keqen me doza akoma dhe më të mëdha se e keqja e së djeshmes.
Mirëpo, e gjithë kjo bie në kundërshtim me atë “ves” të zakonshëm e aq të shpeshtë të atyre që politikën e shohin si një mjet për llogaritë apo shpagimet e tyre personale, pa ditur aspak se ç’do të thotë t’i japësh një qëllim asaj dhe polisit. Ja, nga “mjekimi” i kësaj patologjie palët e politikës sonë duhet të nisen patjetër, që gjatë kësaj fushate elektorale, sepse ajo lejon ngritjen në pushtet apo në përgjegjësi shtetërore të personazheve që me legalitetin kanë raporte të shtrembra: personazhe që politologët i quajnë neomakiavelikë, të pranishëm qoftë nga e majta qoftë nga e djathta, e gjithmonë të gatshëm të mos e ndajnë politikën nga morali, por t’i kundërvënë të dyja ndaj njëra-tjetrës. Karakteristike e personaliteteve të tillë është indiferenca ndaj etikës publike, shkujdesja me të cilën ata kanosin ndryshimin e opinioneve, tregtimin e besnikërisë dhe përdorimin e lojërave politike për të davaritur me lehtësinë e fjalorëve foshnjarakë dëmin e tyre të madh. Në një kohë kur morali, me të dyja këto cilësi nuk ka kurrfarë lidhje. Në fjalimin e vet të 20 janarit, Obama citon letrën e parë të Palit ndaj Korinthasve, duke thënë “se ka ardhur koha t’i lëmë mënjanë gjërat foshnjarake”. E kjo do të thotë të rikthehesh te ligji, te zbulimi i limiteve të veta, te braktisja e asaj arrogance të veçantë të bashkuar me cinizmin që karakterizon gjërat foshnjarake. Në këtë kuptim, çështja morale përkon me rikthimin e kulturës së legalitetit. E kjo është nevoja më e madhe e momentit: pa të nuk ka për t’u restauruar kurrë ai raport i qëndrueshëm e jetëgjatë midis qeveritarëve dhe popullit. Pa rikthimin e “madhështisë së ligjit” nuk kanë për t’u shëndoshur as ekonomia, as politika e as ambienti. Alternativa është mbyllja në flluskën e bukur të anashkalimit apo injorimit të parimeve të tilla: tek e fundit edhe një flluskë e tillë është diçka foshnjarake, që shkëlqen aq shumëngjyrëshe derisa shpërthen papritmas e lë pas mbeturina rastesh patologjikë të raporteve me ligjin, moralin, etikën publike dhe njëanshmërinë e emërimeve, që janë toka më pjellore e mjelmësisë së batakut, intrigës dhe autoritarizmit.        

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›