Jemi konsultuar për Strategjinë

Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, Yves de Kermabon ka deklaruar se kjo strukturë është konsultuar gjatë procesit të hartimit të Strategjisë për Veriun, por ka theksuar se ajo nuk është e Bashkimit Europian.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Vecernje Novosti”, Kermabon ka thënë se vendosja e sundimit të ligjit në veri të vendit mund të bëhet gradualisht, përmes dialogut.
“Edhe pse kemi qenë të konsultuar gjatë hartimit të draftit, kjo nuk është strategji e Bashkimit Europian. Ne besojmë se progresi në veri të Kosovës mund të arrihet vetëm përmes dialogut, hap pas hapi, kurse mandati i EULEX’it është të përkrahë institucionet e Kosovës për ndërtimin e sundimit të ligjit anekënd vendit, duke përfshirë pjesën veriore”, ka thënë ai.
Kreu i Misionit Europian ka theksuar se EUELX- nuk përkrah, as nuk i ndihmon të ashtuquajturat struktura paralele në veri të Kosovës.
“Jemi të vendosur të ndihmojmë forcimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Institucionet të fuqishme dhe shumetnike për të gjithë qytetarët janë e vetmja mundësi. Ne besojmë se rruga përpara është dialogu, e jo përdorimi i forcës”.
Kermabon ka bërë të qartë se në Kosovë nuk mund të ekzistojnë dy sisteme të drejtësisë dhe se EULEX’i tashmë është duke punuar për vendosjen e ligjshmërisë në pjesën veriore.
“EULEX’i po punon për rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Mitrovicës. Kemi hapur përsëri gjykatën dhe aty janë mbajtur pesë gjykime. Prioriteti ynë kryesor është kthimi i gjykatësve serbë dhe shqiptarë si dhe prokurorët, në mënyrë që drejtësinë ta zbatojë një sistem unik i drejtësisë. Ekzistimi i dy sistemeve të drejtësisë do të thotë të mos ketë fare drejtësi”.
Shefi i Misionit të BE’së ka shtuar se EULEX’i do të ndihmojë ndërtimin e sundimit të ligjit të lirë nga ndërhyrjet politike, me kornizë të fuqishme ligjore, duke promovuar shumetnicitetin, të drejtat e njeriut, si dhe duke ju përmbajtur standardeve të pranuara evropiane.
“Puna jonë fokusohet në përcjelljen, mbikëqyrjen dhe këshillëdhënien për kolegët tanë vendorë, megjithëse misioni ka disa kompetenca ekzekutive, për shembull në fushën e krimit të organizuar, krimeve të rënda ekonomike dhe terrorizmit”, ka thënë ish-gjenerali francez.
I pyetur rreth ndalimit të vizitave të zyrtarëve të Beogradit nga autoritet e Prishtinës, Kermabon ka deklaruar se EULEX’i nuk është përgjegjës për lejimin e njerëzve që të hyjnë ose të dalin nga Kosova.
“Ekzistojnë procedura të dakorduara për vizita në Kosovë. Kërkesa e ardhur nga Beogradi arrin në zyrën e përfaqësuesit special të BE’së në Prishtinë, përmes përfaqësuesit të BE’së në Beograd. Pastaj njoftohet Qeveria e Kosovës. Pasi që Qeveria e Kosovës të marrë vendim lidhur me këtë, informata kthehet përmes rrugës së njëjtë. Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut dhe shmangies së provokimeve”.
Ai ka kundërshtuar pohimet se EULEX’i është vënë në anën e shqiptarëve, siç kanë deklaruar zyrtarë të Qeverisë së Serbisë.
“Nuk është e vërtetë se shohim qytetarët sipas përkatësisë së tyre etnike. Ne jemi këtu për të ndihmuar autoritetet e Kosovës, organet e drejtësisë dhe agjencitë për zbatimin e ligjit drejt përparimit të tyre kah përgjegjësia dhe qëndrueshmëria”, ka thënë Kermabon.