Nënkryetar i LDK’së, pse jo

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, pritet të inkuadrohet në forumet drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të një procesi reflektimi të kësaj partie, pas zgjedhjeve komunale.
Ai bindshëm fitoi mandatin e dytë në krye të Komunës së Prishtinës dhe njëherësh rriti votat e LDK’së në Kryeqytet, gjë që ndikoi në normalizimin e përqindjes proporcionale të kësaj partie.
Natyrshëm, LDK’ja nuk mund t’i mbyllë sytë para këtij fakti.
“Disponimi i strukturave udhëheqëse, por edhe i elektoratit të LDK’së, është që z. Mustafa të emërohet në postin e Nënkryetarit të LDK’së. Kjo çështje do të shtrohet brenda muajit për diskutim në Kryesinë e partisë”, tha një zyrtar i lartë i LDK’së, në kushte anonimiteti për Express.
Anëtarë të Kryesisë Qendrore të LDK’së, të cilët i ka kontaktuar Express, nuk e kanë mohuar mundësinë që Isa Mustafa të emërohet në postin e Nënkryetarit. Por, po ashtu, ata nuk kanë pohuar decidivisht një gjë të tillë. Më shumë, kanë preferuar të flasin në terme të përgjithësuara, duke lënë mundësi interpretimi.
Ramë Manaj, Sekretar i Përgjithshëm, thotë se aktualisht LDK’ja është në momente pikëllimi për humbjen e Nënkryetarit të saj, Fadil Feratit, i cili vdiq para dhjetë ditësh pas një sëmundjeje të rëndë.
“Të gjitha procedurat për plotësimin e organeve udhëheqëse të LDK’së do të bëhen në bazë të kompetencave që i jep statuti organit përkatës dhe në mbështetje të dispozitave të statutit”, ka deklaruar Manaj, për Express.
“Sivjet edhe ashtu është viti i zgjedhjeve në LDK. Kështu që gjithçka do të zgjidhet në bazë të statutit”, shtoi ai.
Por si mund të emërohet Isa Mustafa në postin e Nënkryetarit?
Statuti i LDK’së thotë se për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Kryesisë Qendrore vendos Këshilli i Përgjithshëm, pasi që ky organ të marrë propozimin nga Kryetari i LDK’së.
Sadri Ferati, Sekretar Tekniko-Administrativ i LDK’së, shprehet pro inkuadrimit të Mustafës në strukturat udhëheqëse.
“Isa Mustafa është njeri që çmohet. Faktorizimi i tij dhe inkuadrimi në strukturat e partisë është në interes të LDK’së dhe të Kosovës”, tha ai, për Express.
“Mund të ketë diskutime për kooptimin e tij, por unë nuk jam në dijeni dhe nuk mund ta konfirmoj këtë”, shtoi Ferati.
As Astrit Haraqija nuk ka konfirmuar një gjë të tillë.
“Kjo temë nuk është diskutuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë dhe askund brenda organeve të partisë”, ka thënë Haraqija.
Isa Mustafa llogaritet të jetë një prej kuadrove të forta të LDK’së. Sidomos gjatë zgjedhjeve lokale, emri i tij filloi të përmendej si opsion për postin e Kryetarit të LDK’së. Por, publikisht, Kryetari i Prishtinës është shprehur i painteresuar për të ardhur nën krye të partisë së tij. Mbetet të shihet nëse ai do të pranojë të marrë postin e Nënkryetarit.
Burime të Express thonë se Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së pritet të mblidhet brenda dy muajsh, ku do të diskutohet rreth përgatitjeve për procesin e brendshëm elektoral dhe ku mund të bëhet edhe plotësimi i postit të Nënkryetarit të LDK’së, që mbeti bosh pas vdekjes së Fadil Feratit.