E Diel, 1 Nëntor 2026

Jemi lodhur prej deklaratave për poena politike

Familja e ish- shefit të Qendrës për Informim të Kosovës, Enver Malokut kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes së tij.

Në letrën e kësaj familjeje, akuzohen institucionet e Kosovës për mosangazhim për t’u vënë drejtësia.

Sipas familjarëve, deri tash për këtë punë kanë folur krerët shtetërorë e partiakë por askush nuk ka bërë asgjë konkrete.

Në vazhdim, po iu sjellin letrën e plotë të familjarëve të Malokut.

“Sot, në 14-vjetorin e vrasjes së bashkëshortit dhe babait tonë, Enver Malokut, ish-shef i Qendrës për Informim të Kosovës, u bëjmë thirrje të gjitha organeve vendëse dhe ndërkombëtare të drejtësisë që të fillojnë sa më shpejt punën për ndriçimin e kësaj vrasjeje monstruoze.

Familja jonë ka kaluar 14 vjet në pritje të ndonjë hapi konkret të institucioneve sa i përket zbulimit të vrasjes enigmatike të Enver Malokut, por fatkeqësisht, deri më sot, gjithçka ka mbetur në nivelin deklarativ kryesisht në raste përvjetorësh dhe në kohë fushatash zgjedhore.

Dhjetëra familje në Kosovë janë lodhur nga deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë të vendit përfshirë krerëve shtetërorë e partiakë, në lidhje me vrasjet politike e krimet e luftës. Ka ardhur koha që të thyhet miti i heshtjes dhe autorët e këtyre krimeve makabre ndaj aktivistëve më të dalluar të Lëvizjes për Liri e Pavarësi, të marrin dënimet më të ashpra nga drejtësia.

Familja Maloku pret që institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë, të fillojnë sa më shpejt ndriçimin e vrasjes monstruoze ndaj Enver Malokut, e cila ndodhi më 11 janar të 99-s në sy të gruas e fëmijëve”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›