E Diel, 1 Nëntor 2026

Jemi ne prove Topi 8 Maji i qytetareve jo i militanteve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi publik ka ftuar të gjithë shqiptarët të drejtohen më 8 maj drejt kutive të votimit për të zgjedhur krerët e pushtetit vendor. 

“Të dielën me 8 maj në mbarë vendin qytetarët janë të ftuar të votojnë për organet e reja drejtuese të pushtetit vendor. Zgjedhjet e 8 majit janë momente përgjegjësie për të gjitha institucionet e parashikuar me ligj në përgatitjen, mbarëvajtjen dhe administrimin e tyre. Bashkë me ju, të nderuar qytetarë, pres që dita e votimit të kalojë në atmosferë të qetë, që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre. Gjithashtu pres dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe sigurisë, prokuroria, gjykatat dhe Kolegji Zgjedhor, - të jenë aktivë dhe tërësisht profesionalë në përmbushjen e misionit të tyre ligjor"-tha Topi.

Presidenti thotë se kur vendi është në provë, atëherë edhe të gjithë zyrtarët drejtues, institucionet dhe aktorët politikë janë në provë.

"8 maji nuk do të hyjë në kujtesën tonë politike për nga cilësia e programeve politike apo emrat e fituesve, por për nga vlerësimi që lidhet me standardet dhe produktin e tyre demokratik. Kur vendi është në provë, të gjithë ne, zyrtarët drejtues, institucionet dhe aktorët politikë e publikë jemi në provë. Dita e zgjedhjeve është ditë e qytetarëve dhe jo e militantëve partiakë”-tha Topi.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit thotë se 8 maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik, një ditë kur qytetarët i gëzohen lirisë dhe e përdorin atë për të mandatuar institucionet e qeverisjes vendore.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›