E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Berisha, Gjykata e Lartë shtyn përballjen

Tiranë- Përballja në Gjykatën e Lartë mes kreut të opozitës, Edi Rama, dhe Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, e caktuar ditën e djeshme, nuk është realizuar për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të Ramës. Seanca gjyqësore e caktuar ditën e djeshme, për t’i dhënë përgjigje kërkesës së kryesocialistit Edi Rama, nuk është realizuar, pasi mungonin dy avokatët e tij mbrojtës. Trupa gjyqësore, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe avokatja e Kryeministrit kanë qenë të pranishëm në seancën e datës 5 maj, por për arsye personale avokatët e Edi Ramës nuk ishin paraqitur. Vetëm një seancë më parë, dy përfaqësuesit e tij ligjor kërkuan nga Gjykata e Lartë të detyrojë organin e akuzës të nisë hetimet ndaj Kryeministrit, pas akuzave të bëra në Parlament vitin e shkuar. Duke qenë se për shqyrtimin e kërkesës ishte e nevojshme të njoftoheshin palët e interesuara, Gjykata shtyhu seancën e radhës për në datën 5 maj, vetëm tri ditë para zgjedhjeve lokale të datës 8 Maj. Mungesa e avokatëve detyrojë gjykatën të shtyjë edhe një herë debatin, por këtë radhë mes mbrojtësve të dy liderëve politik në vend, për akuzat që Kryeministri ka adresuar ndaj kreut të opozitës. Fillimisht çështja iu përcoll Prokurorisë së Përgjithshme, në formën e një kallëzimi penal, me anë të të cilit kërkohej nisja e hetimeve ndaj Kryeministrit për akuzën e fyerjes dhe shpifjes, të kryera botërisht. Pas verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme vendosi të mos fillojë çështje penale ndaj Kryeministrit, ndërsa kreu i PS-së iu drejtua Gjykatës së Lartë, për të kundërshtuar këtë vendim. Sipas tij, Kryeministri ka lëshuar fyerje dhe shpifje në adresë të tij, duke thënë gjëra të pa qenë dhe të trilluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›