E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi takon Topin: Zgjedhjet të jenë të lira, e domosdoshme

TIRANE-Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi për të diskutuar mbi situatën në vend në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit si dhe të 9 majit, Ditës së Evropës. Takimi u zhvillua paraditen e sotme në presidencë.

Ambasadori i BE-së nënvizoi në takimin me kreun e shtetit “rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë zgjedhjet vendore të 8 majit për ecurinë e ardhshme integruese evropiane të vendit tonë”, informon zyra e shtypit e presidencës.

Qëndrimi i Bashkimit Europian mbështetet fort dhe nga presidenti Topi i cili nga ana e tij theksoi “domosdoshmërinë e zhvillimit dhe administrimit me sukses të zgjedhjeve vendore të lira, të ndershme dhe sipas standardeve më demokratike në mënyrë që të shënojmë një hap tjetër cilësor përpara në rrugëtimin tonë integrues.”

Takimi i sotëm i ambasadorit Sequi nuk është i pari, por është në vazhdën e takimeve intensive që ambasadori i BE.së, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Ëollfarth ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve me krerët më të lartë të shtetit. Ata kanë përcjellë mesazhin që zgjedhjet e 8 majit të jenë të lira dhe sipas standardeve europiane. Në këtë kuadër të tre ambasadorët kanë mbështetur rolin e presidentit Bamir Topi.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›