"Jemi një", Festa e Flamurit flakëron Kosovën
Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori, festohet për herë të parë në Kosovën e pavarur, dhe kjo, siç kanë theksuar në mesazhet e tyre drejtuesit më të lartë kosovarë, "e bën këtë ditë të shenjtë më të fuqishme dhe më kuptimplotë". Veprimtari të shumta u zhvilluan në të gjithë Kosovën. Drejtuesit më të lartë të vendit, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë në nivel të Republikës e të komunave u bënë nderime dhe homazhe heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë dhe të pavarësisë. Rrjeti i Organizatave Shqiptare organizoi dje në qendër të Prishtinës, në sheshet "Nëna Terezë" e "Skënderbej" manifestimin me moton "Jemi një". Në këto sheshe të mbushura me valimin e flamujve kombëtarë e me shumë njerëz në festë, janë ekspozuar fotografi nga tradita, historia, personalitete të njohura të kombit, peizazhesh nga natyra e bukur shqiptare, prodhime të ndryshme nga trojet etnike.
E veçanta e këtij 28 Nëntori në Kosovë është mesazhi madhor që japin pamjet e valëvitjes për herë të parë të flamurit të Republikës së Kosovës krahas Flamurit Kombëtar - Flamurit të Republikës së Shqipërisë. 28 Nëntori nuk bën pjesë zyrtarisht në festat e shtetit të Kosovës, por pavarësisht kësaj kudo shqiptarët në Kosovë e kanë festuar këtë ditë, si Ditë të Flamurit Shqiptar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Është kjo ditë feste dhe pushimi edhe në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Ligji ndër festat shtetërore përcakton Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurtin.