Nata e Bardhë, mes vallëzimeve dhe përqafimeve rastësore
Për të pestin vit radhazi Tirana në ditën e çlirimit të atdheut, më 29 Nëntor, do të përjetojë një natë të gjatë mbushur plot me energji dhe jetë, Natën e Bardhë. Gjatë kësaj nate, qyteti do të jetojë me të gjitha hapësirat e tij historike, muzetë, por edhe teatrot, sallat e kinemasë dhe dyqanet, me aktivitete që do t‘u japin një tjetër kuptim rrugëve dhe shesheve, një konfiguracion që do të bashkojë të gjithë qytetarët e Tiranës. Ky premtim vjen nga drejtuesit vendorë të kryeqytetit. Sipas tyre, mes muzikës, teatrit, performancave të rrugës, instalacioneve, video-projektorëve, Tirana do të ofrojë takime të mrekullueshme në të gjithë qytetin, ku do të jenë të përfshirë artistët më të mirë. Një pistë gjigante në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" do të jetë risia e mbrëmjes. Balerinë profesionistë do të ftojnë në vallëzim spektatorë e kalimtarë, duke u bërë pjesë aktive të show-t të improvizuar. Në sheshin "Skënderbej", rreth pavijonit të ekspozimit të planit rregullues, një ekspozitë e hapur do t‘i dedikohet pikturës, grafikës, fotografisë - arteve pamore. "Free Hugs" do të jetë katalizatori që do t‘i shtojë kësaj mbrëmjeje ngrohtësinë dhe ndjenjat njerëzore. Shumë të rinj, të veshur me bluza dhe pankarta "Përqafomë" do të ecin nëpër rrugët e qytetit për të ndarë me kalimtarët disa momente njerëzore. Në një nga sheshet urbane më të reja të Tiranës, tek "Ushtari i Panjohur", të rinj të veshur me të bardha do të ndërtojnë një skenë artistike. Nën tingujt e një pianoje, do të recitohen poezi të autorëve më të njohur shqiptarë e të huaj, por edhe krijime të vetë të rinjve. Do të vihen në skenë pjesë teatrale. Një kuartet harqesh do të jetë i pranishëm herë pas here në skenë, për të luajtur pjesë të ndryshme klasike. Fëmijët do të largojnë gjumin dhe do të jenë protagonistë të përrallave, vjershave e tregimeve në lulishten pranë "Skënderbeut". Ata do të ftohen për t‘u bërë protagonistë nga personazhet më të dashura kukulla dhe ashtu si në përralla qielli do të mbushet me flluska e tullumbace. Rinia e kryeqytetit do të bëhet pjesë e një atmosfere të ndezur në zemër të zonës së Bllokut. Grupe të shumta roku do të jenë protagoniste në skenën që do të ndërtohet enkas për ta. Të gjithë të pasionuarit e kësaj rryme muzikore do të kenë mundësi të ndjekin koncertin "live" për gati 4 orë. Te lulishtja "Vëllezërit Frashëri" do të realizohet edhe këtë vit një muze me copëza të historisë sonë, rrethuar nga zjarre që do të ngrohin mbrëmjen. Tematika do t‘i kushtohet 100-vjetorit të Himnit të Flamurit kombëtar. Dhe në fund një koncert i madh në sheshin "Skënderbej".
Policia e Shtetit
Ndalohet qarkullimi në bulevardet kryesore
Policia e Tiranës ka marrë një seri masash për lëvizjen e lirë dhe të shpenguar të njerëzve në Natën e Bardhë, që pritet të organizohet sot me rastin e Festës së Çlirimit, 29 Nëntorit. Për të siguruar një qarkullim të lirshëm dhe pa probleme, drejtuesit e policisë rrugore njoftojnë se nga ora 17.00, deri në orën 23.00 të mbrëmjes së 29 nëntorit do të jetë e ndaluar lëvizja e automjeteve në sheshin "Nënë Tereza", ish-Bllokun dhe bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Në këto zona nuk do të lejohet as parkimi i automjeteve nga ora 15.00, me qëllim mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të kryhen.