“Jemi të gjithë së bashku për të përballuar këtë gjëmë”
Kryeministri Berisha viziton familjen Mustafa
Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje katër familjet e viktimave të aksidentit rrugor të ndodhur ditën e djeshme në Fushë Arrëz.
Kryeministri ka ngushëlluar familjen Mustafa në Fushë Arrëz, e cila nga kjo tragjedi ka humbur tre pjesëtarë të saj. Kryeministri theksoi se ky ishte një aksident i rëndë dhe humbja e tre familjarëve të dashur është një tragjedi dhe dhimbje e madhe për familjen Mustafa.
“Jemi të gjithë së bashku për ta përballuar këtë gjëmë. Uroj që të gjeni forcën dhe kurajon për të përballuar këtë dhimbje të madhe”, është shprehur Kryeministri.
Më pas Kryeministri ka vizituar dy familje të tjera në fshatin Shkozë. Familjen Gjini dhe familjen Marku, të cilët gjithashtu kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur nga aksidenti i rëndë rrugor.
Kreu i ekzekutivit ka ngushëlluar të afërmit e familjes Marku për humbjen e madhe.
“Për ju si vëlla për nënat, motrat, burrat, kjo është dita më e zezë e jetës. Dita më e rëndë më e vështirë. çfarëdo që të shprehin fjalët ato nuk mund të shprehin pikëllimin e madh për humbjen e nënës, djalit, për humbjen e të dashurve tuaj. Por këtë dramë e fatkeqësi e ndani sot me të gjithë shqiptarët, të cilët qajnë e luten për ju. Uroj që ata që të plagosurit që janë në spital të shërohen sa më shpejt. Ne do bëjmë gjithçka për ti ndihmuar. Të gjithë shqiptaret do donin të ishin këtu me ju, për të marre copëza dhimbje nga dhimbja juaj. Ne çdo vatër shqiptare, sot zija juaj është dhimbja e vërtetë”, tha kreu i qeverisë.
Ngushëllimet e tij kryeministri Berisha i ka shprehur edhe tek familja Gjini.
“Erdha për të ndarë këtë dhimbje me ju, e cila nuk përshkruhet me fjalë. Asgjë nuk e kompenson dot humbjen e Paulinit dhe të tjerëve që u ndanë nga jeta dje. I gjithë populli ka qenë me ju, pasi aksidenti ishte shumë tragjik. I nderuar për jetë kujtimi i djalit tuaj”, deklaroi Berisha.
Më pas Kryeministri ka ngushëlluar edhe familjen Frroku, familja e shoferit të autobusit, i cili humbi jetën pasi mbërriti në Spitalin Ushtarak. Kryeministri tha se, “Kjo është një gjëmë shumë e rëndë, zi shumë e madhe, të cilën e ndani jo vetëm me njeri tjetrin, por me gjithë shqiptarët. Uroj të gjeni forca për ti dhënë kurajë familjes të kalojë këtë dhimbje të madhe”.