E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lajm i kobshëm, është përjetuar me pikëllim të thellë kudo në Kosovë”

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu

Udhëheqësit e Kosovës kanë ngushëlluar qeveritarët e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për shuarjen e jetës së qytetarëve që pësuan dje në aksidentin tragjik në aksin rrugor Rrëshen -Fushë Arrëz. Në një telegram të presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu thuhet se ky lajm i kobshëm është përjetuar me pikëllim të thellë kudo në Kosovë.
“Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shuarjen e jetës së bashkëqytetarëve Tuaj, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik, që ndodhi dje në aksin rrugor Rrëshen - Fushë Arrëz. Ky lajmi i kobshëm është përjetuar me pikëllim të thellë kudo në Kosovë. Prandaj, në këtë ditë zie për të gjithë ne, ritheksoj solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e madhe, me familjarët e viktimave, me institucionet e shtetit dhe me mbarë popullin shqiptar”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Presidentit të Kosovës.
Ai vijon më tej se, “uroj që të plagosurit të shërohen sa më shpejt dhe të kthehen në shtëpitë e tyre”.
“Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi! Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!”, përfundon telegramin e tij të ngushëllimit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Përmes një telegrami dërguar kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, edhe kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ngushëllon familjet e prekura nga ngjarja e rëndë e dy ditëve më parë. Krasniqi vijon në telegramin e tij se Republika e Kosovës, solidarizohet fuqishëm dhe bashkëndien dhembjen e Republikës së Shqipërisë për ngjarjen e hidhur.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›