“Kujdesi njerëzor mund të kishte shmangur tragjedinë”
Presidenti i Republikës
Kreu i shtetit e cilësoi të rëndë ngjarjen e djeshme ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 12 të tjerë, ndërsa apeloi se kujdesi njerëzor mund të shmangë tragjedi të tilla. Pasi vizitoi të plagosurit në spitalin Ushtarak, Presidenti Topi u shpreh se drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të kujdesshëm dhe se kujdesi për jetën duhet të jetë parësor.
“Mos mendoni vetëm ditën e tragjedive të mëdha, çdo qytetar duhet të mendojë për jetën pasi ajo është shumë e shtrenjtë. Tani në kulmin e sezonit të turistëve, kujdesi për jetën duhet të jetë parësor. Duhet të rritet ndjeshëm standardi i edukatës që qytetarëve pasi ata duhet të bashkëpunojnë me forcat e rendit, pasi ata janë zbatues të ligjit dhe jo si personi i cili vendos gjobat”, u shpreh Presidenti i Republikës.
Ndërkohë duke iu referuar gjendjes shëndetësore të të plagosurve të aksidentit të cilët ndodhen në spitalin Ushtarak theksoi se gjendja e personave të cilët ndodhen jashtë reanimacionit është stabilizuar. Në këtë kontekst, Topi falënderoi bluzat e bardha për gatishmërinë që kanë treguar me të plagosurit.