Qeveria, gati të ndihmojë familjet e prekura nga tragjedia
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha bën të ditur se është përgatitur baza ligjore dhe pritet materializimi i saj brenda 2 ditësh
Qeveria nis që ditën e sotme formalizmin e premtimit të kryeministrit Sali Berisha, për ndihmë të posaçme familjeve të prekura nga ngjarja tragjike e aksidentit të dy ditëve më parë në aksin rrugor, Fushë Arrëz-Rrëshen. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, vizitoi dje të plagosurit në spitalin Ushtarak, nga ku deklaroi se me urdhër të kreut të qeverisë Berisha, është hartuar baza ligjore, për ardhjen në ndihmë të menjëhershme të familjeve që përjetuan një nga ngjarjet më tragjike në vend të vitet e fundit.
“Familjet e viktimave do të ndihmohen nga shteti dhe se kjo ndihmë nis nesër (sot) ose pasnesër (nesër). Me një porosi të kryeministrit është përgatitur baza ligjore për ardhjen në ndihmë të menjëhershme familjeve të viktimave dhe të plagosurve, çka shpresojmë ta materializojmë, nesër ose pasnesër”, u shpreh dje ministri i Brendshëm, Basha.
Duke iu referuar të plagosurve të aksidentit të së shtunës, Basha, tha se është stabilizuar gjendja e shumicës prej të shtruarve në Spitalin Ushtarak, ndërsa shtoi se 3 prej tyre, në gjendje më të rëndë janë nën kujdesen intensive të mjekëve
“Gjendja e shumicës prej të shtruarve paraqitet e stabilizuar, sigurisht që ka 3 raste të cilat vazhdojnë të kenë kujdesin intensiv të mjekëve, por shpresojmë për lajme të mira. Kjo sot ka qenë një ditë tragjike për sa i përket familjarëve të viktimave në këtë aksident, ceremonia e varrimit të të cilëve ka mbaruar me përjashtim të njërës, por siç kemi vepruar në 24 orët e para do të veprojmë edhe në ditët në vijim. Jam i prekur nga përkujdesja dhe përkushtimi i mjekëve”, deklaroi më tej ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.