Ngjarja, tronditje e madhe, stafi mjekësor në gatishmëri të plotë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta e cilësoi si tronditje kombëtare ngjarjen e dy ditëve më parë në Gjegjan, ku si pasojë e një aksidenti automobilistik, mbetën të vdekur 14 persona. Meta ka shprehur ngushëllimet për familjarët e 14 viktimave që humbuan jetën në aksidentin tragjik, ndërsa ka vlerësuar përkushtimin maksimal të stafit mjekësor.
“Ndihem shumë i tronditur për këtë fatkeqësi e cila u mori jetën qytetarëve tanë. Vlerësoj solidaritetin që ka treguar vendi dhe përkushtimin e ekipit mjekësor. Unë mendoj se tashmë jemi ende në fillimet e kësaj tragjedie. Mendoj se reagimi i parë ka qenë i menjëhershëm dhe i shpejtë, por sigurisht jam i bindur që ky moment solidariteti nuk do të ndalet këtu”, u shpreh zëvendëskryeministri Meta.
Sipas tij, ngjarje të tilla duhet të evitohen sa më shumë, pasi vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund të ndjehen më të sigurt në udhëtimet e tyre. Në këtë aspekt, Meta apeloi për kujdes të veçantë të drejtuesve të mjeteve.