“Jemi të kënaqur me përfaqësimin tonë në nivelet e dyta qeveritare”

Deklaron kreu i PDI, Tahir Muhedini TIRANE – Partia Drejtësi dhe Integrim është e kënaqur me përfaqësimin e saj në nivelet e dyta qeveritare. Kryetari i PDI-se Tahir Muhedini deklaroi gjatë një emisioni televiziv se në marrëveshjen e nënshkruar me kryeministrin Berisha nuk kishte te përcaktuar modalitete për ndarjen e pushtetit në rast fitoreje. “Jo ne nuk kemi më asnjë shpjegim, vetëm nëpërmjet mediave. Unë kam bërë atë akt-marrëveshje me doktor Berishën në fillim para zgjedhjeve dhe s’jam takuar më. Ne ndoshta prisnim që të bisedonim për një portofol, por mesa duket ne nuk u përfshimë në kabinet. Zoti Berisha besoj që dhe zëvendësministrat i quan në qeverisje, kjo do të jetë përfshirja në qeveri. Në akt-marrëveshjen që kemi ne, kemi bashkëqeverisje në të gjitha nivelet, jo të përcaktuara konkretisht. Ndoshta në nivelet e dyta na takon diçka më shumë se sa mund të ishte parashikuar”, tha Muhedini. Muhedini foli edhe për debatet në Partinë Drejtësi për Integrim ndërsa deklaroi për herë të parë se ai ishte i gatshëm ta çonte këtë forcë në kongresin e jashtëzakonshëm për t’i hapur rrugën një gare mes tij dhe deputetit socialist Shpëtim Idrizi, i cili synon gjithashtu drejtimin e partisë së çamëve. “Unë nuk kam kontaktuar me zotin Shpëtim Idrizi për ta marrë në PDI, kjo ka qenë dëshira dhe vullneti i deputetit Tahiri. Dhe i hapa rrugë zotit Idrizi që të vijë në partinë tonë, kam kontaktuar dhe unë më vonë nëpërmjet zotit Tahiri. Kam qenë i hapur që të vijë dhe kam shkuar pak më larg, po e them për herë të parë, në qoftë se vjen një mandat, pra, një deputet në Partinë tonë, ndoshta kjo duhet të jetë koha që ne ta çojmë partinë në kongres të jashtëzakonshëm, që t’i japim mundësi këtij deputeti që mos ta ndjejë veten pak si të fyer, që të dalë dhe të konkurrojë për kryetar partie”, vijon Muhedini.
...