E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën qeverisjen tuaj, Shqipëria do të njohë suksese të reja

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, uron Berishën me rastin e rizgjedhjes në funksionin e kryeministrit TIRANE – Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje nga homologu i tij i Kosovës, Hashim Thaçi, një telegram urimi, me rastin e rizgjedhjes së tij dhe formimit të kabinetit të ri qeveritar. Thaçi shprehet i sigurt se nën drejtimin e kryeministrit Berisha, Shqipëria do të njohë suksese të reja, ndërkohë që vlerëson si të çmuar mbështetjen e pakursyer dhënë Kosovës dhe sfidave të saj integruese. “Me rastin e rizgjedhjes suaj në postin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe formimit të kabinetit të ri qeveritar, ju përcjell përgëzimet më të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim. Republika e Shqipërisë ka arritur suksese të rëndësishme në rrugën e saj drejt përmbushjes së kritereve dhe parimeve demokratike. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritur e jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë”, shpreh Thaçi në telegramin e tij të urimit. Kryeministri i Kosovës, shton më tej se Shqipëria ecën e sigurt drejt integrimit evropian, proces i cili vlen edhe për të ardhmen e Kosovës. “Me urimet më të mira që Republika e Shqipërisë të vazhdojë të ecë me hapa të sigurt drejt perspektivës së integrimit në Bashkimin Evropian, jemi të bindur që në këtë rrugë do të punojmë me synime të përbashkëta për thellimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të të dyja vendeve tona dhe gjithë rajonit”, përfundon telegramin e tij të urimit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›