“Jemi të vendosur të punojmë shumë për të zgjeruar liritë për investitorët e huaj”

Kryeministri Sali Berisha, në ditën e tretë të vizitës në Izrael, mori pjesë në punimet e Forumit Ekonomik shqiptaro-izraelit
Kryeministri Sali Berisha, në ditën e tretë të vizitës në Izrael, mori pjesë në punimet e Forumit Ekonomik shqiptaro-izraelit, organizuar në Tel Aviv, nga Federata Izraelite e Dhomave të Tregtisë dhe Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ku merrnin pjesë 22 kompani izraelite dhe 35 kompani shqiptare. Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë, mësohet se, Berisha në fjalën e tij bëri një paraqitje të treguesve të zhvillimit ekonomik të vendit, fushave prioritare të zhvillimit dhe potencialeve të mëdha që ofron për investitorët. Ai ftoi sipërmarrësit izraelitë të investojnë në Shqipëri, duke përfituar nga barra fiskale më e ulët në Europë, klima shumë e favorshme e biznesit, një treg i ri, i arsimuar dhe dinamik pune dhe politikat mbështetëse ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare. Kryeministri theksoi se Shqipëria ka një vizion dhe potenciale të jashtëzakonshme, ku potenciali më i madh i saj është liria. “Ne jemi të vendosur të punojmë shumë për të zgjeruar liritë për investitorët e huaj. Sot, jemi një nga qeveritë me ndërhyrjen më të vogël ndaj bizneseve në botë. Ne renditemi shumë lart në disa procedura burokratike, siç janë regjistrimi i biznesit, licencat dhe lejet dhe, nëse vitin e kaluar liria ekonomike në botë pati një frenim, në Shqipëri u rrit me 16 për qind”, tha kreu i qeverisë. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria është vendi i vetëm që mund të bëhet tërësisht një prodhues dhe eksportues i energjisë së rinovueshme në rajon. “Tani jemi 98 për qind prodhues i energjisë së rinovueshme, por nuk kemi shfrytëzuar besoj më shumë se 15 për qind të të gjitha potencialeve tona të jashtëzakonshme të energjisë së rinovueshme, qoftë në ujë, erë, energji diellore, gjeotermike, të biomasës. Qeveria ime është përqendruar për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar në një mënyrë të gjelbër”, tha Berisha. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe se projekti ynë janë resortet turistike dhe zonat rezidenciale, pasi duam ta kthejmë kombin nga deti. “Ne po ndërtojmë infrastrukturë shumë të mirë në zonat bregdetare dhe tani po punojmë edhe drejt zonave malore. Çdo investim turistik në malet tona, do të përjashtohet nga taksat për një periudhë 8-vjeçare. Ky është zotimi ynë”, tha Berisha. Në kuadër të prezantimit të pasurive natyrore të vendit tonë për biznesin izraelit, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria është një vend shumë i pasur në minerale, me rezerva botërore në krom, nikel, hekur-nikel, bakër etj. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se në Shqipëri, rruga ende nuk është një bulevard, por “ne po punojmë shumë për ta përmirësuar sa më shumë që mundemi. Tani jemi në kohë krize europiane e botërore, ishte dhe është një krizë e vështirë, por vendi im nuk ra në recesion. Dhe kjo besoj për shkak të taksave të ulëta dhe investimeve të shumta”.
Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje dhe arritjet në indeksin e penetrimit të ICT, rritjen e eksporteve, të investimeve të huaja direkt, etj.
Berisha, fjalim në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, në Jeruzalem
Në fjalën para forumit që mbledh qindra diplomatë izraelitë të karrierës, kryeministri evokoi momentet historike të miqësisë shqiptaro-izraelite, duke nisur me ardhjen e komuniteteve sefardite në shekullin XVI e deri tek mbrojtja e hebrenjve nga holokausti në Luftën e Dytë Botërore
Kryeministri Sali Berisha iu drejtua dje me një fjalim, Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizate ku bëjnë pjesë ish diplomatë izraelitë, njoftoi zyra për shtyp e Kryeministrisë.
Takimi, i iniciuar për nder të vizitës së Kryeministrit Berisha pati si temë “Të drejtët mes kombeve - Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u fokusua në marrëdhëniet mes dy kombeve, ku theksoi se shqiptarët dhe izraelitët kanë të përbashkët faktin që janë ndoshta ndër kombet më të vjetra në këtë planet.
“Shqiptarët dhe izraelitët kanë shumë gjëra të përbashkëta, si dhe dallime midis tyre. Ata kanë të përbashkët faktin që janë ndoshta ndër kombet më të vjetra në këtë planet. Historia ndaj të dyve ka qenë një njerkë e ashpër, e padrejtë, por Zoti i ndihmoi. Ndërkohë që shumë kombe zhdukeshin, kombet tona mbijetuan. Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj Zotit.
Izraelitët, gjatë historisë, kanë humbur territoret e tyre. Shqiptarët kanë humbur më shumë se 2/3-at e territorit të tyre. Izraelitët janë përballur me barbarizmin më të tmerrshëm të kohërave moderne, holokaustin. Por, gjithashtu, shqiptarët iu nënshtruan spastrimit nga racizmi, platforma zyrtare asgjësimi, nga fqinjë që erdhën nga larg dhe u bënë fqinjët tanë gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve. Si një vend që ka mbijetuar, kombi izraelit, pasi fitoi lirinë, tregoi një energji të jashtëzakonshme për të ndërtuar të ardhmen. Popujt tanë meritojnë të ardhmen më të ndritur. Unë mendoj lirinë dhe asnjë komb nuk ka arritur të bëjë më shumë se sa keni bërë ju. Në shumë aspekte, sakrificat e të parëve tuaj u bënë një forcë e vërtetë që ju ka shtyrë drejt të ardhmes. Historia jonë nuk ishte ajo e holokaustit, por ishte një nga historitë më të vështira. I referohem një periudhe që ka ndodhur jo shumë kohë më parë në historinë tonë, që ishte diktatura komuniste. Të dashur miq, unë kam lexuar shumë, kam parë shumë mbi të keqen, por nuk kam parë kurrë një vend të përballet me një luftë, me atë çfarë ka përballur vendi im nga diktatura komuniste, si u shkatërruam.
Marrëdhëniet tona në histori nuk janë aq të pasura, por kurdo që janë takuar kombet tona, janë takuar si kombe mike. Qëndrimi i Shqipërisë ndaj holokaustit nuk është rastësor. Kohë pas kohe, valë njerëzish që shpërnguleshin, që vinin nga vendet europiane gjetën strehë dhe jetuan në paqe dhe harmoni me shqiptarët. Gjatë kohërave, historianët thonë se ka pasur fshatra të hebrenjve, një prani të vërtetë të tyre në Shqipëri. Më vonë, është e sigurt, hebrenj sefardikë erdhën nga Spanja, hebrenj romanë erdhën nga Selaniku dhe nuk është regjistruar asnjë aksident midis shqiptarëve dhe hebrenjve, ashtu sikurse nuk ka asnjë incident të regjistruar, i bazuar në besimin fetar, në vendin tim. Ne jemi një komb me një tolerancë fetare të shkëlqyeshme”, tha Kryeministri, ndërsa i bëri një panoramë të hollësishme “kapitull të shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy kombeve”.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se Shqipëria mund t’i ofrojë investitorëve izraelitë, mundësi dhe potenciale të mëdha, si edhe se qeveria izraelite po bën më të mirën për të mbështetur progresin dhe zhvillimin e Shqipërisë.
“Qëllimi im kryesor në këtë vizitë është të punoj me qeverinë izraelite për të çuar bashkëpunimin ekonomik dhe në të gjitha fushat në nivelin e marrëdhënieve politike, të cilat janë të shkëlqyera. Ne po përpiqemi ta kthejmë Shqipërinë në një vend shumë miqësor për investitorët e huaj”, tha ai.
Në këtë drejtim, Berisha tha se qeveria po përpiqet ta kthejë Shqipërinë në një vend shumë miqësor për investitorët e huaj.
“Jam i gëzuar që disa kompani izraelite po tregojnë interes të madh për të punuar në Shqipëri. Ashtu si Izraeli, vendi im është i vogël në hartë, por, duke parë në brendësi të tij, është një vend me potenciale të jashtëzakonshme. Ne mund të bëhemi dhe do të bëhemi një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon. Ne jemi një vend i pasur në ujëra, do të ndërtojmë më shumë se 443 hidrocentrale, një nga më të mirët do të ndërtohet nga Telemenia. Kompani të tjera izraelite janë më se të mirëpritura të marrin pjesë në këtë rrugë të gjelbër të zhvillimit të vendit tim”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se “po licencohen parqe eolike, po jepen licenca për energjinë gjeotermike dhe energjinë diellore. Shqipëria deri tani është vendi me barrën më të ulët fiskale në Europë dhe do të mbetet i tillë. Unë besoj në taksat e ulëta. Një nga tre mësimet që kam marrë nga një prej personaliteteve më të admirueshëm të botës, Ronald Reagan, ishte taksa të ulëta. Në politikë unë kam ardhur nga fusha e mjekësisë dhe më duhej të mësoja. Reagan shkruante se paraja në llogaritë e individëve privatë është më e vlefshme, sesa në llogaritë e qeverisë. Kështu, në atë kohë vendosa taksat më të ulëta dhe vendi arriti një rritje dy shifrore. Pasi erdha në pushtet, vendosa sërish barrën më të ulët fiskale dhe vendi im, pavarësisht krizës shumë të rëndë ekonomike, nuk ra në recension, pësoi rritje ekonomike vjetore”, tha ai.
“Prandaj do të isha shumë i lumtur të shihja investitorët izraelitë të investojnë në Shqipëri, në fushën e energjisë, në turizëm, në manifakturë, në sektorin e minierave. Vendi im është plotë mundësi dhe unë mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të forcuar dhe konsoliduar marrëdhëniet tona miqësore”.
Duke u ndalur te zhvillimet në Lindjen e Mesme, Berisha tha se, “është shumë pozitive që Izraeli ka pranuar dhe po mbështet zgjidhjen për dy shtete. Kështu, ne mbështesim zgjidhjen për dy shtete. Por, gjithashtu, ashtu siç mund ta keni dëgjuar, ne nuk do ta mbështesim kërkesën për anëtarësim në OKB të autoriteteve palestinezeve, sepse ne besojmë se rrugët e shkurtra nuk ndihmojnë në këtë proces, si dhe zgjidhja duhet të përfshijë sigurinë e plotë të të dy vendeve e dy kombeve”.