E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Huldai: Bashkia e Tel Avivit, bashkëpunim me bashkinë e Tiranës

23-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri takohet në Tel Aviv me Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Ron Huldai

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tel Aviv-it, Ron Huldai, njofto zyra për shtyp e Kryeministrisë. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që takohej me kryetarin e Bashkisë të një prej qyteteve më të bukura dhe më të zhvilluara të botës. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha bëri një panoramë të reformave gjithëpërfshirëse të ndërmarra dhe të realizuara me sukses nga qeveria shqiptare, në sajë të të cilave, ekonomia shqiptare, por edhe shumë fusha të tjera po zhvillohen me ritme të shpejta. Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal dhe foli gjerësisht për masat e marra për sa i përket uljes së barrës fiskale, zvogëlimin në maksimum të pengesave burokratike, krijimit të një klime tërheqëse për investimet e huaja, të cilat po shtohen nga dita në ditë, shtimit të eksporteve, zbatimit të suksesshëm të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, etj.
Duke shprehur dëshirën për të shkëmbyer eksperiencën me bashkinë e një qyteti të zhvilluar si Tel Aviv-i, Kryeministri Berisha u shpreh se Kryetari i Bashkisë së Tiranës po adapton standarde të larta për sa i përket zhvillimit të një klime miqësore ndaj biznesit dhe përthithjes së investimeve të huaja në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Tel Aviv-it, duke uruar për zgjedhjen e Lulzim Bashës në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit shprehu kënaqësinë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës. Ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë, si dhe për të zhvilluar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, Ron Huldai iu përgjigj se ishte një kënaqësi shkëmbimi i vizitave, në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm mes dy qyteteve. “Do të jem i gëzuar të vij në Shqipëri dhe të pres Kryetarin e Bashkisë së Tiranës këtu, dhe të fillojmë një bashkëpunim frytdhënës midis Tel Aviv-it dhe Tiranë”, u  shpreh Huldai.
Kryetari i Bashkisë së Tel Aviv-it Ron Huldai i dha Kryeministrit Berisha në shenjë simbolike Pasaportën e qytetit të Tel Aviv-it. Kryeministri Berisha dhe kryetari i Bashkisë së Tel Aviv-it, Ron Huldai zhvilluan homazhe pranë memorialit të ngritur në kujtim të ish-kryeministrit të vrarë Jitzhak Rabin. Kryeministri Berisha vendosi një kurorë me lule pranë këtij memoriali.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›