E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqatat e ish-të Përndjekurve apelojnë për zbatimin e Ligjit të Lustracionit

23-11-2011 / Gazeta 55

Përkujtohet 65 vjetori i masakrës ndaj grupit të inxhinierëve martirë të dënuar në gjyqin e Kampit të Maliqit

Miratimi i ligjit të lustracionit në Shqipëri si dhe nderimi ndaj të dënuarve dhe martirëve të krimeve të komunizmit ishin kërkesat e Shoqatës Antikomuniste të Ish të Përndjekurve Politikë Demokratë. Kryetari i kësaj shoqate, Simon Miraka kërkoi dje gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e 65 vjetorit të masakrës ndaj grupit të inxhinierëve martirë, të dënuar në gjyqin e Kampit të Maliqit, se edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet ish-komuniste të Evropës Lindore duhet të zbatohet ligji i lustracionit, në mënyrë që të hidhet dritë mbi krimet e komunizmit.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.
Ky ligj, siç quhet ndryshe “ligji i lustracionit” është pezulluar në zbatimin e tij me arsyen se “zbatimi i tij mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit”.
Shqipëria është një nga vendet e fundit ish-komuniste që po tenton të implementojë një ligj lustracioni. Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit evidentoi faktet e masakrës së regjimit komunist 65 vjet më parë, ku u dënuan në procesin e të ashtuquajturve “sabotatorë dhe agjentë amerikanë”.
Në këtë masakër u ekzekutuan: Ing. Abdyl Sharra - me varje në litar, Ing. Kujtim Beqiri –  me varje në litar, Ing. Vasil Mano - me pushkatim, Zyraka Mano (ekonomiste) – me pushkatim, Ing. Eugenio Scatura - me pushkatim, Ing. Mirush Përmeti – me pushkatim, Mario Guarieli – me burgim të përjetshëm, Pandeli Zografi – me burgim të përjetshëm, Mihal Stradobërdha – me burg... etj.
Ndërkohë, historiani Uran Butka hodhi dritë mbi disa fakte që janë fshehur nga regjimi komunist i asaj kohe mbi këtë ngjarje, duke bërë thirrje se kjo masakër meriton të zbardhet dhe shkaktarët e saj të dënohen. Sipas tij, gjyqi ishte një montazh politik që i duhej pushtetit të kohës në radhë të parë për të justifikuar dështimin në afatet e tharjes së kënetës së Maliqit. Ishte premtuar që mijëra të burgosurit do ta përfundonin “veprën e madhe” brenda tetë muajve. Por në kushtet dhe me teknologjinë me të cilën punohej kjo gjë, sigurisht që ishte e pamundur. Të paushqyer, të lodhur, të sëmurë, të shkatërruar nga lagështia “skllevërit” e kohëve moderne nisën të vdisnin në masë.
Në nëntorin e 1946, në Tiranë u zhvillua gjyqi ndaj atij që u quajt me bujë “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej me altoparlant publikisht, u zhvillua në kinema “Nacional”, në atë që më pas do të merrte emrin “17 nëntori”. Pas dhjetë ditësh u dha vendimi: Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, përkatësisht 35 dhe 30 vjeç, kryeinxhinieri dhe drejtori i kantierit të kënetës së Maliqit, me varje, Andrea Mano, Zyraka Mano, Eugenio Scaturo, Mirush Përmeti u pushkatuan, tetë të tjerë u dënuan me burgime të rënda.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›