Probleme me nxënësit shqiptarë
OPOZITA NË MAQEDONI
Dy ditët e fundit, në fshatin Veles, pati ndërprerje të mësimit nga nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme. Atyre u ishte premtuar transporti falas, premtim që nuk u realizua, e ndërkaq profesorëve nuk u është dhënë paga që u takonte. Ky është vetëm rasti i radhës në një seri rastesh vrazhdësie ndaj nxënësve shqiptarë që po shtohen. Në Idrizovë në Shkup, qartë u shpreh tendenca për të penguar hapjen e një paraleleje për nxënësit shqiptarë dhe ata u detyruan të udhëtojnë mbi 10 km në një shkollë tjetër.
Dy muaj të plota, drejtori i Shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, u tall me fatin e mbi 100 nxënësve shqiptarë me arsyetimin, kinse, nuk ka hapësira të mjaftueshme për sistemimin e tyre në këtë shkollë. Ndërkaq, e vërteta është se në këtë qendër jo vetëm që ka vend për këta nxënës, por edhe për më tepër. Probleme të kësaj natyre patën edhe nxënësit shqiptarë në Kumanovë, kurse në Strugë nxënësit maqedonas nuk dëshirojnë të mësojnë me ata shqiptarë, me ç’rast edhe e bojkotuan mësimin.
Shkolla e mesme në Brodec, (ishte paraparë t’i përfshinte nxënësit e gjashtë fshatrave përreth dhe për të janë dhënë plot 4 milionë USD) nuk është hapur ende.
Në pozitë të palakmueshme janë vënë disa prindër shqiptarë nga Manastiri dhe rrethina e tij, të cilëve shteti u ka shqiptuar dënime për shkak se fëmijët e tyre mbetën pa u regjistruar në shkollën e mesme. Ironia bëhet edhe më e madhe kur dihet fakti se këta prindër i dënojnë pikërisht ata që nuk i lejojnë të mësojnë në gjuhën amtare.
Situata aspak nuk është e mirë as në shkallën e arsimit të lartë. Kështu, në vend që Universiteti Shqiptar i Tetovës të ndihmohet edhe më tej në planet për realizimin e infrastrukturës së nevojshme, atij, çuditërisht nga buxheti i merren 3 milionë euro.
Në fund, gjithsesi, duhet përmendur edhe rasti i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, ndaj të cilit BDI-ja ndërmori aksion retrograd. Pritej që ajo ta ndihmojë institutin, por tash kemi një situatë që çon drejt shkatërrimit total. Duhet thënë se instituti nuk e hap për nevoja të ndonjë partie, por për kulturën, trashëgiminë dhe historinë e shqiptarëve.
Është indikative se pse problemet e arsimit shqip janë më të theksuara në vendbanimet ku ata janë pakicë. Qëllimi i këtij pushteti është i qartë – t’i detyrojë shqiptarët t’i lënë trojet e tyre. Është brengosëse që kohëve të fundit shqiptarët nga rajoni i Prilepit kanë filluar të largohen dhe të vendosen në Tetovë. Kjo nuk mund të trajtohet ndryshe, pos si një pastrim i heshtur etnik.
Krejt në fund do ta themi edhe këtë - Në vend që të vazhdohen aktivitetet aty ku i la PDSH-ja, ndodhi e kundërta. Për 100 ditë, pothuaj asgjë s’mbeti nga ajo që u ndërtua me sakrifica e mund.
*Deputet i PDSH-së në Parlamentin e Maqedonisë / Kryetar i Komisionit për Arsim