Kërkohej për shembjen e pallatit, dorëzohet bashkëpronari i firmës
Gjirokastër- Arrestohet bashkëpronari i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., Aristotel Haxhi, i cili ishte shpallur në kërkim si një nga të akuzuarit për ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e së dielës në Gjirokastër.
Sipas burimeve zyrare të policisë, mësohet se ai u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës në orët e para në mëngjesit.
"Haxhi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e rrethit, pasi shoqëria e tij 'Arti' sh.p.k po punonte për ndërtimin e godinës së re pranë pallatit pesëkatësh që u shemb të dielën në lagjen '11 Janari' të qytetit, duke shkaktuar tre të vdekur dhe disa të plagosur”- thanë burimet policore.
Sipas policisë, 30 vjeçari Aristotel Haxhi u dorëzua, pasi kishte qëndruar i fshehur në një zonë të periferisë, jo larg qytetit të Gjirokastrës.
Numri i të arrestuarve pas shembjes së pallatit pesëkatësh në Gjirokastër, ka arritur në dhjetë. Një ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë të Gjirokastrës vendosi masën e arrestit me “burg” për pesë të ndaluarit, ndërsa sot në mesditë pritet që edhe katër të ndaluarit e të tjerë të dalin para trupit gjykues për t’u njohur zyrtarisht me masën e arrestit.
Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij.