E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeni të ftuar për krahasim…



Uwe JOHNSON

Sa i përket vështirësisë së romaneve të tipit të ri: Problemi i formës dhe brendisë nuk duhet të jetë më i dukshëm. Historia duhet ta shfaqë formën nga trupëzimi i saj. Forma ka vetëm detyrën që historinë ta sjellë në botë të padëmtuar. Ajo nuk duhet të jetë më e ndarë nga brendia.
Për kronologjinë: Duke qenë zbulim për të bërë rregullimin e gjërave sipas një rregulli, ajo është gjithashtu një zbulim që është ndjekur fort vetëm nga romanet e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ne e përdorim edhe sot në mendimet tona vijimësinë kohore, por edhe metoda të tjera. Përse të mos e kundrojmë si një kompliment faktin që romanet e kohës sonë përpiqen, të paktën, të eksplorojnë në kapacitetet e mëdha bashkëkohore?
Te fjalët e zakonshme, te pikësimi i parregullt, te kthimet e befta të historisë, ndërrimet në sjelljen e tregimit: mendoni znj. Brown. Kjo damë plakë, sa e varfër dhe po aq krenare, me sfondin e saj social të pasigurt, nuk do të ishte mirë që të mbetet një shprehje e panjohur edhe për enciklopedinë. Prandaj romani nuk duhet aspak të ekzistojë vetëm për vetveten. Kushtrimi jo i dobët i znj. Brown është ky: përse të heqim dorë nga mësimi, sapo fillojmë të vjetërohemi? Ajo nuk e pranon thjesht nga përzemërsia, që të tilla fjalë shtanguese ose fragmente, kanë qenë mjaft shpesh të vetmet që mund të strehonin historinë në një gjendje të qartë. Sepse znj. Brown, për të përballuar gjendjen e saj brengosëse, ka ruajtur parapëlqeimin për përpikëmërinë. Me kënaqësi në shërbimin tuaj, madamë.
Duhet të pohojmë që stili artificial i romaneve të rinj mund të jetë mjaft larg aftësisë perceptuese të publikut. Si në artet e tjera. Kjo mund të jetë një dilemë. Jo një alternativë. Në interes të historisë, zanati i të shkruarit duhet të përdorë në një roman të gjitha teknikat, rezervat e njohuritë. Tjetërsoj shkrimi nuk mund të jetë i qëndrueshëm.
Nëse shumicës së një shoqërie do t’i mohohet çfarëdo kualifikimi, që është i domosodshëm për të shijuar një roman (themi ne) pa ndonjë punë plotësuese, ky nuk është as faji i kësaj forme artistike e as i krijesave të saj. Nga ana tjetër, duhet pranuar se shoqëria është sjellë në atë gjendje, ku shkollat s’janë më tepër sesa furnizuese të industrisë.
Fundi i reklamës.
Një pohim për miqtë dhe armiqtë e së majtës: Një roman nuk është kurrfarë arme revolucionare. Ai nuk sjell ndikim të drejtëpërdrejtë politik. Pikëpamjet taktike janë të varfëra, ato strategjike janë mezi të vërtetueshme.
Pralajmërim për qenin: Nëse një roman ka si qëllim heqjen e një ligji të caktuar ose lajmërimin e krijimit të një grupi politik, ju nuk do të keni një roman por, prapë në pastë fat, një kuti me material propagandistik. Nëse një grup politik në pushtet u jep porosi shkrimtarëve të vendit të bëjnë një version të caktuar të së shkuarës, ashtu siç nuk ka qenë ose, po njëlloj, një realitet aktual që duhet përshkruar ashtu siç dëshiron qeveria, atëherë kujtimi i ngjarjeve reale e po ashtu i njohurive mbi to, do të ruhet si epërsi e lexuesit, dhe romane të tilla do të kundërshtohen madje edhe thjesht si informacione.
Po atëherë përse vlen një roman?
Është një ofertë. Ju merrni një version të realitetit. Nuk është fjala për një shoqëri në miniaturë dhe për asnjë kriter modeli. Nuk është gjithashtu një pasqyrë e botës, dhe më tej as pasqyrim i saj; por është një botë që i kundërvihet botës. Ju jeni të ftuar që këtë version të realitetit ta krahasoni me çdo realitet tjetër, ku ju argëtoheni e gjeni veten. Ndoshta përshtatet tjetri, kundrimi i ndryshëm, në atë tuajin.
Mbrojeni pavarësinë tuaj deri në faqen e fundit të librit. Nëse do t’ju thuhej prerë ajo çfarë romani përpiqet të thotë, ky do të ishte çasti i fundit i operimit. Ju keni të drejtë të fitoni një histori. Paraqitja e një kuintesence ose e një morali është një frakturë e librit. Me romanin është premtuar një histori. Çfarë mund të thuhet për të, thuajeni ju.
Romani duhet të argëtojë. Të argëtojë në kuptimin e plotë të fjalës: ashtu siç mund të argëtohesh në një teatër, nga një muzikë, nga një fëmijë lojcak; siç mund të të argëtojë një urë, një komunikacion, një buxhet. Sikur të tilla lajme të ishin të nevojshme për fqinjët tuaj. Pastaj do të ishte e udhës, të paktën, të fiksohej ndarja e punës. Ndërsa ju jeni të zënë me një punë tjetër, shkruesi i romaneve ju sjell argëtim dhe informacion.
Kështu, ai e përmbush përgjegjësinë e tij para shoqërisë, nëse kjo mund të pohohet njëanshmërisht.

Përktheu Fatmir Alimani

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›