ISSAT hap për herë të parë në vend “Master” në Menaxhimin e Shëndetit
Jonida Tashi
Çelet për herë të parë në vendin tonë programi “Master” në Menaxhimin e Shëndetit. Hapja e këtij masteri është bërë i mundur nga institucioni i arsimit të lartë privat në vend, ISSAT. Duke qenë se sektori i shëndetësisë në vend kërkon një reformim, sipas drejtuesve të ISSAT-it, tashmë është koha e përshtatshme që të përgatiten specialistë për menaxhimin e sistemit shëndetësor. Të drejtën për të aplikuar në masterin e nivelit të dytë në Menaxhimin e Shëndetit nuk e kanë vetëm kandidatët që kanë përfunduar një fakultet, por edhe mjekë të specialiteteve të ndryshme, që dëshirojnë të kenë aftësi menaxhuese në sektorin ku punojnë. Studimet për ndjekjen e masterit në menaxhimin e shëndetit do të zgjasin një vit, ndërsa tarifa e studimit është 3800 euro plus TVSH.
Programi
Programi “Master” në Menaxhimin e Shëndetit (MMSH) synon të plotësojë nevojat aktuale për njohuri dhe aftësi ne fushën e menaxhimit të shëndetit dhe të krijojë një profil për menaxherin shëndetësor të së ardhmes. Në funksion të kësaj, programi ofron jo vetëm njohuri, aftësi dhe cilësi që i nevojiten një menaxheri të fushës së shëndetësisë në kushtet aktuale të funksionimit të sistemit shëndetësor, por edhe ndihmon pjesëmarrësit në kurs të krijojnë vizionin e tyre mbi mënyrën se si duhet menaxhuar shëndeti dhe sistemi shëndetësor për t’iu përgjigjur zhvillimeve të fushës së shëndetësisë, sfidave të kohës dhe pritshmërisë së qytetarëve.
Objektivat
Programi synon të arrijë tre objektiva prioritare: Rritja e njohurive të studentëve në lidhje me konceptet bashkëkohore të shëndetit, shëndetit publik dhe ekonomisë së shëndetit;
Aftësimi i studentëve për të analizuar aspekte të ndryshme të shëndetit dhe për t’ju përgjigjur nevojave të evidentuara nëpërmjet identifikimit të prioriteteve, hartimit të politikave, planifikimit strategjik dhe hartimit të programeve e projekteve; Rritja e njohurive dhe aftësimi i studentëve në fushat e ekonomisë dhe financave shëndetësore, sistemeve të menaxhimit logjistik dhe sistemeve të informacionit të menaxhimit shëndetësor.
Përmbajtja
Në përputhje me objektivat e mësipërm dhe kategoritë e synuara, programi “Master” në Menaxhimit e Shëndetit do të ofrohet në tre module, secili prej të cilëve do të zhvillohet përgjatë një semestri. Modulet janë grupuar në semestra sipas një strategjie të menduar mirë, ku gjatë semestrit të parë jepen njohuritë më bashkëkohore rreth shëndetit publik dhe menaxhimit shëndetësor, ndërsa gjatë semestrit të dytë jepen njohuri rreth aspekteve ekonomiko-financiare të menaxhimit shëndetësor. Semestri i tretë shërben për të ilustruar zbatimin e njohurive të marra në disa aspekte praktike të menaxhimit shëndetësor bashkëkohor siç është menaxhimi i projekteve, marketingu shëndetësor, menaxhimi i cilësisë, menaxhimi logjistik dhe aplikimi i sistemeve të integruara të informacionit të menaxhimit shëndetësor.
Dokumentet për aplikim
Për të aplikuar në programet “Master”, çdo kandidat duhet të paraqesë dosjen personale, brenda së cilës do të përfshihen dokumentet e mëposhtme:
Kopje e noterizuar e diplomës universitare
Kopje e noterizuar e listës së notave
Letër motivimi për ndjekjen e studimeve “Master”
Dy letra rekomandimi (nga persona, të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit)
Njohuri të gjuhës angleze, si dhe gjuhë të tjera europiane (preferohen dëshmi të tyre, nëse keni)
Fotokopje e pasaportës dhe dy foto në formatin e pasaportës)
Formulari i aplikimit të ISSAT-it
Programi i kursit
Programi i kursit MMSH përmban 17 lëndë (duke përfshirë edhe Mikrotezën) nga të cilat 14 janë lëndë të detyrueshme (dy prej të cilave të paraqitura si raste studimore) dhe 2 janë lëndë me zgjedhje (pra të detyrueshme për tu zgjedhur dy lëndë nga opsionet e ofruara).
Katër modulet me zgjedhje
Nga katër modulet me zgjedhje secili prej studentëve do të zgjedhë dy:
Kujdesi Parësor i Orientuar drejt Komunitetit
Planifikimi strategjik dhe marketingu shëndetësor
Metoda statistikore të avancuara për përpunimin e informacionit shëndetësor
Cilësia, siguria e cilësisë dhe akreditimi i institucioneve shëndetësore
Modulet për çdo semestër
Semestri I: Shëndeti publik në shekullin XXI
Semestri II: Bazat e menaxhimit shëndetësor
Semestri III: Praktika e menaxhimit shëndetësor
Struktura e orëve
Rast studimor 100 orë mësimi
Tema e diplomës (mikroteza) 250 orë mësimi
Leksione + seminare 525 orë mësimi
Totali 875 orë mësimi
6 Prill 2009