Jensen në Përmet: Korrupsioni luftohet duke mos bërë korrupsion

Ambasadori danez në Tiranë Karsten Ankjaer Jensen ka përsëritur apelin e tij se politika shqiptare është ajo që e ka në dorë integrimin e vendit, pasi duhet të plotësojë 12 kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian. Nga Përmeti ku ka marrë pjesë në një konkurs mes të rinjve të shkollave të mesme i fokusuar në njohuritë rreth Bashkimit Europian, ambasadori është shprehur se nëse ekziston vullneti politik Shqipëria mund të festojë 100 vjetorin e pavarësisë me statusin e vendit kandidat.
“Janë 12 rekomandimet që BE i ka kërkuar Shqipërisë që të plotësojë dhe kjo është diçka që duhet bërë, një kërkesë shumë normale që nuk do të thotë të ngjitesh në Everest. Kjo është diçka që duhet bërë dhe ju mund ta bëni brenda këtij viti nëse ekziston vullneti politik. Nëse ekziston vullneti politik Shqipëria mund të celebrojë 100 vjetorin e pavarësisë me statusin e vendit kandidat. Unë jam optimist për të ardhmen e Shqipërisë dhe jam i sigurtë se ka të ardhme” ka theksuar ambasadori.
I pyetur për çështjen Gërdeci, Ambasadori danez u shpreh: "Unë mendoj se Gërdeci është një ngjarje e trishtë që duhet t`i ishte dhënë zgjidhje kohë më parë po tani unë nuk dëshiroj të bëj komente rreth Gërdecit. Por ajo që dua të them për korrupsionin është se korrupsioni nuk është diçka që kërkon përpjekje të mëdha për tu bllokuar. Për të stopuar korrupsionin ju thjesht nuk duhet të bëni korrupsion, thjesht duhet ta godisni, nuk është si të ndërtosh një shtëpi të re, thjesht mësohuni të mos i bëni disa gjëra.
Më herët, Jensen ka ndjekur disa prej aktiviteteve lokale të organizuara në Përmet në kuadër të Ditës së Frankofonisë.