E Diel, 1 Nëntor 2026

Jep dorëheqje ambasadori i Kosovës në Çeki

PRISHTINE - I ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Çeki, Hilmi Zogiani, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i tij.

Zogiani i ka drejtuar një letër Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në Prishtinë, përmes së cilës ai njofton institucionet e Kosovës për dorëheqjen, ka konfirmuar Artan Behrami, këshilltar politik i ministrit Enver Hoxhaj.

“Është e vërtetë që Ministria e ka pranuar letrën e Zogianit, përmes së cilës ai ofron dorëheqjen nga posti i shefit të misionit diplomatik në Ambasadën e Çekisë”, - është shprehur Behrami për Koha Ditore.
Behrami, i cili njëkohësisht është edhe zëdhënës në Ministrinë e Jashtme, ka pohuar se arsyet për këtë dorëheqje, sipas letrës që ka dërguar Zogiani, janë të natyrës private.

Sipas tij, Zogiani do të vazhdojë të mbështesë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe diplomacinë e Kosovës në forma të ndryshme.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›