Jepet pretenca e prokurorise per 21 janarin te akuzuar Llupo e Prendi
Me një sallë të tejmbushur me gardistë, e ku të pranishëm ishin edhe komisionerët e avokatit të popullit dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane, dy prokruorët e çështjes lexuan konkluzionet përfundimtar për tre të pandehurit e vetëm të pasojave të demonstratës së 21 janarit 2011.
Prokurori Blerim Tominaj, pasi renditi kronologjinë e ngjarjes dhe provat e siguruara në fazën hetimore dhe gjyqësore, kërkoi nga tre gjyqtarët e çështjes, të shpallin fajtor ish-Komandantin e Gardës së Republikës gjeneral Ndrea Prendin për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj dhe dënimin e tij me 23 vjet burg. Sipas prokurorit, ekspertiza e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-ja), zbuloj se nga pistoleta personale e llojit “BERETA” qe kishte në përdorim Prendi ka gjetur vdekjen fieraku Myrtaj. Gjithashtu, përveç plumbit që I solli vdekjen Myrtajt, prokurori theksoi se Prendi ka qëlluar edhe 10 plumba te tjerë në drejtim të demonstruesve.
Ndërkaq, për të pandheurin Agim Llupo, prokurori kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg, pasi është provuar se ka vrarë demonstruesin Ziver Veizi e Hekuran Deda, si dhe ka plagosur Fatos Mahmutajn, Erald Bishën dhe Sokrat Godën. Vet Llupo, tha prokurori, ka qëlluar 13 plumba luftarak në drejtim të demonstruesve të opozitës së bashkuar më 21 janar 2011 para ndërtesës së kryeministrisë.
Ndërsa, prokurori tërhoqi akuzat ndaj shtetasit Margarit Kume I njohur si ish-shoferi i komandantit Prendi, i akuzuar kohë më parë për fshehjen e provave, pasi kishte ndërruar tytën e pistoletës së Prendit me pistoletën e tij.
Në seancën e sotme, i pari që kundërshtoj akuzat dhe masën e dënimit ishte vetë Komandanti Prendi, që në asnjë rast nuk pranoi se ka qëlluar drejt turmës dhe të ketë marrë urdhër për të qëlluar. Ai renditi të arriturat e institucionit që drejtonte ndër vite dhe u shpreh se prokuroria gjatë gjithë kohës e kishte kërcënuar, bërë presion dhe shantazhuar për ngjarjen.