E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: Gati ofensiva e re diplomatike kundër Kosovës

Beograd-Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiç deklaroi se javën që vjen, qeveria dhe diplomacia serbe do të nisë një fazë të re diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. “Do të jemi shumë aktivë për të marrë sa më shumë mendime të shumë vendeve, të cilat ndajnë pikëpamjen tonë dhe që përdorin argumentime të njëjta”-tha Jeremic. Ai ka theksuar se këto argumente do t’i dorëzohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sipas Jeremic, ruajtja e sovranitetit të Serbisë është prioritet i qeverisë serbe, e cila nuk do të heqë dorë nga kjo. Jeremic ka thënë se javën e ardhshme do ta shënojë një aktivitet i madh diplomatik, pasi që më 17 prill pritet të mbyllet procesi i grumbullimit të deklaratave të shumë shteteve rreth pavarësisë së Kosovës.

Ky aktivitet është paralajmëruar vetëm disa ditë para fillimit të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila pritet ta thotë fjalën e saj nëse shpallja e pavarësisë ka qenë kundër të drejtës ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›