Jeremiç: “Kemi në anën tonë shtetet me ndikim”
Disa ditë para diskutimit të legjitimitetit të pavarësisë në Hagë, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, u shpreh optimist. “Kur është fjala për Kosovën, në aspektin diplomatik situata është shumë më e mirë për ne”, - tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, në një intervistë për gazetën “Politika”. I pyetur se çfarë po ndodh në lidhje me çështjen e legalitetit për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Jeremiç deklaroi se për këtë çështje në anën e Serbisë do të jenë disa shtete me ndikim të madh në botë.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është duke pranuar opinionet e shteteve të interesuara për këtë çështje deri më 17 prill. Ne i jemi përkushtuar shumë energjisë diplomatike me qëllim që të bindim sa më shumë shtete, të cilat mendojnë si ne që t’i drejtohen edhe zyrtarisht GJND-së. Jam i bindur se për këtë rast në anën e Serbisë do të jenë një numër i madh shtetesh me ndikim në botë”,- ka thënë ministri i jashtëm serb. Ndërkohë Republika e Kosovës është njohur nga shumë vende të BE-së, SHBA-të, Arabia, Afrika dhe pret nga dita në ditë njohje të reja.
14 Prill 2009