E Shtunë, 31 Tetor 2026

Decentralizimi i veriut të Kosovës, ICO: “Shansi serbëve për zhvillim”



Blerina Olldashi
Decentralizimi në veri të Kosovës është një proces mjaft i rëndësishëm dhe me vlerë, që parashikon krijimin e komunave të reja serbe në veri të vendit. Ky ka qenë vlerësimi i qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare të cilët pretendojnë të marrin mbështetjen e serbëve lokalë dhe jo të Beogradit për procesin e decentralizimit pasi ky mund të ishte viti i shansit për ta. Sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, Beogradi zyrtar po manipulon serbët lokalë edhe në procesin e decentralizimit. Këto komente erdhën pas deklaratave të sekretarit shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, se serbët nuk mund të bashkëpunojnë nëse procesin e decentralizimit e drejton Zyra Civile Ndërkombëtare apo Qeveria e Kosovës. Ivanoviç është shprehur se serbët do t’ia besonin këtë proces vetëm Këshillit të Europës, për të ruajtur kështu neutralitetin. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi ka shprehur bindjen se janë serbët lokalë, e jo Beogradi zyrtar, ata që duhet të vendosin për këtë proces. “Për ne nuk është e rëndësishme Qeveria serbe. Kosova është shtet i pavarur dhe ajo që kemi parasysh është komuniteti lokal serb. Çdo ditë e më shumë në terren, komuniteti lokal serb është duke e kuptuar rëndësinë e decentralizimit, ndërsa sa i përket Serbisë, me siguri se ata, do të kenë përpiqen të manipulojnë procesin, në kuptimin e manipulimit të komunitetit lokal, por në asnjë mënyrë nuk mund ta ndalin këtë proces”,- u shpreh Krasniqi. Ka edhe nga ata serbë lokalë, që nuk pranojnë decentralizimin e udhëhequr nga institucionet e Kosovës, pavarësisht se me këtë proces ata fitojnë pavarësi të madhe në qeverisjen lokale. Kreu i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliç, thotë se vendimi për decentralizim mund të jetë i pranueshëm për palën serbe në kuadër të modifikimit të planit të Ahtisarit dhe pranimit të 6-pikëshit. “Në njërën anë kemi planin e Marti Ahtisarit, që parasheh decentralizimin, që nuk është i pranueshëm për komunitetin serb, por që ka pjesë që mund të jenë të pranueshme. Përpjekjet e tanishme që përmes Zyrës së Piter Feithit të realizohet plani i Ahtisarit, janë të rrezikshme dhe nuk do të kenë sukses”. Serbët në masë të madhe nuk pranojnë bashkëpunimin me ICO-në, por kjo zyrë u tërheq vëmendjen serbëve se procesi i decentralizimit është shansi i vitit për ta. Me këtë proces parashihet krijimi i pesë komunave të reja serbe dhe zgjerimi i një komune aktuale. Krijimi i komunave të reja parashihet me Ligjin për kufijtë administrativë, ligj ky që buron nga pakoja e Ahtisarit. Lokalitetet e banuara me shumicë serbe që pritet të shndërrohen në komuna, janë: Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica veriore, si dhe zgjerimi i komunës aktuale të Novobërdës.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›