Mjekët i ringjisin gjymtyrët shqiptares së masakruar nga bashkëshorti
ATHINË - Kirurgët e spitalit KAT në Athinë kanë përfunduar me sukses operacionin e ringjitjes së gjymtyrëve të gruas shqiptare e cila u sulmua me motosharrë nga bashkëshorti i saj këtë fund javë. Sipas agjencisë së lajmeve ANA operacioni i ringjitjes së 4 gjymtyrëve të gruas 30 vjeçare ka përfunduar dje dhe është mbyllur me sukses. Ngjarja kishte ndodhur katër ditë më parë në Kalamatas, një qytet i Peloponezit ku jetonte 30 vjeçarja, ndërsa autori i krimit jetonte në veri të Greqisë në qytetin Veria. Policia tha se 39 -vjeçari kishte mbërritur në Kalamata javën e fundit dhe çifti po jetonte një periudhë ndarjeje. Grindja bashkëshortore është kthyer në një skenë krimi të përgjakshëm të premten kur 39- vjeçari me një motosharrë, të cilën e kishte blerë pak ditë më parë, i preu gjymtyrët gruas. Më pas emigranti shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur është larguar me makinë dhe rrugës ka ndaluar një patrullë policie të cilën e ka vënë në dijeni të ngjarjes. Mediat greke thanë se e gjithë skena makabre është parë nga fëmijët e çiftit, përkatësisht 9 dhe 11 vjeçar të cilët vetëm pak ditë më parë kishin mbërritur në Greqi nga Shqipëria për të takuar nënën e tyre. Në momentin kur policia ka mbërritur në shtëpi ka gjetur 30 -vjeçaren të mbuluar me gjak. Fillimisht ajo ishte dërguar në një spital lokal. Më pas në një spital më të specializuar të Athinës, ku dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të vështirë, e cila sipas agjencisë së lajmeve greke ANA, ka përfunduar me sukses me ringjitjen e gjymtyrëve. Dy fëmijët e çiftit janë dërguar në një qendër sociale ku do ti jepet dhe mbështetje psikologjike pasi kanë qenë dëshmitarë të krimit makabër.
14 Prill 2009