E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremic: Kosova Jeruzalemi i Serbisë

BEOGRAD- Për Serbinë, Kosova është Jeruzalemi. Ashtu si palestienzët dhe izraelitët që luftojnë për këtë vend të shenjtë, edhe Beogradi kurrë nuk do të heqë dore nga ky territor. Këto deklarata janë bërë nga Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic gjatë një interviste për New York Times. Në artikullin e Times, Jeremic ka thënë se perendimorët e bënë një gabim me Kosovën, duke nxitur dhe mbështetur pavarësinë e saj, por gabimi tjetër që perëndimorët po bëjnë, është se mendojnë që Serbia me kalimin e kohës do ta pranojë humbjen e Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë kurrë, ka thënë Jeremic, një ministër mjaft i ri në moshë 34 vjec, por me ndjenja tejet nacionaliste përsa i përket Kosovës. Në fakt Jeremic thotë se ai nuk është nacionalist, pasi është gjysëm serb e gjysëm boshnjak, nënën e ka myslimane të Bosnjës, dhe në kohën e luftës së Bosnjës, kanë vuajtur shumë dy palët e familjes së tij. Ai madje thotë se pavarësisht se serbët tashmë kanë një optimizëm për integrim në botë, për Kosovën mendojnë të gjithë njësoj, që ky territor është pjesë e pandarë e Serbisë dhe herët a vonë gjërat do kthehen si më parë. Në artikullin e New York Times, Jeremic përshkruhet si fytyra e re e imazhit të Sebrisë në botë, pas viteve të errëta të Milloshevicit. Ai madje ka zë më të fortë në politikën ndërkombëtare se mësuesi i tij i psikologjisë, presidenti serb Boris Tadic. Jeremic ka udhëtuar shumë më tepër se zyrtarët e tjerë serbë jashtë vendit, gati në 90 shtete në dy vite si ministër me avionin 30 vjecar tip Falkon 50 të blerë për ish liderin komunist Tito. Jeremic edhe pse është kritik i erës së Milloshevicit, ai ka vënë prioritet të politikës së tij të jashtme, Kosovën. Ai këmbëngul se asgjë nuk do bëhet përmes përdorimit të forcës, por me mjete diplomatike. Sipas tij, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë një mendim për pavarësinë e Kosovës, Serbia do të bëjë të pamundurën të rikthejë bisedimet ndërkombtare për statusin e Kosovës. Po aq i vendosur duket dhe properëndimori Tadic, i cili fjeti në Manastirin e Decanit në mes të forcave të shumta policore dhe kosovarëve protestues. New York Times shkruan se politikanët e rinj properëndimorë serbë janë të etur për të hyrë në Europë dhe për të mbajtur lidhje të mira me SHBA, me gjithë vendet që e kanë njohur Kosovën, por janë të vendosur që të mos heqin dorë nga ky shtet, edhe pse kjo diplomaci mund të rrezikojë këto synime.(e.n/News24/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›