Blushi: Në mars në Kuvend, bojkoti strategji e gabuar
TIRANE- Menjëherë pas mbylljes së punimeve të Asamblesë të Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi deklaroi se në fillim të muajit mars do të bëhet pjesë e Parlamentit duke thyer kështu bojkotin e opozitës. Duke nënvizuar se bojkoti rezultoi një strategji e gabuar, Blushi tha se nuk do të lejojë që mandati i fituar nga votat e 28 qershorit të digjet. “Asambleja duhet të diskutonte për bojkotin që rezultoi një strategji e gabuar. Unë nuk do djeg mandatin tim” u shpreh Blushi. Ndërkaq, në fillim të mbledhjes së sotme të Asamblesë Blushi kërkoi të diskutohet edhe për çështjen e bojkotit. "Do të propozoja që pasi të mbarojnë fjalimet dhe prezantimet për përmbytjen, Asambleja të ketë një pikë në rendin e ditës ku të disktuojë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen tonë. Kemi hyrë në një vit tjetër dhe kërkohet që të bëjmë një bilanc të paktën të 6 muajve të fundit", theksoi Blushi në fillim të mbledhjes. Sipas tij "PS ka disa muaj që nuk është në parlament dhe kjo çështje duhet të shtrohet sa më shpejt për zgjidhje dhe të merret një vendim, pasi jemi në kushtet kur arsyet për të bojkotuar parlamentin nuk janë më të justifikueshme edhe në kontekstin e kësaj përmbytje. Asambleja e Partisë Socialiste u mblodh ku diskutoi shkaqet që sollën situatën e këtyre dy javëve në Shkodër. (e.n/BalkanWeb)