E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita të jetë aty ku nuk është qeverisja

Në këto ditë trishtimi për të gjithë për tragjedinë që është reale në mijëra familje nga përmbytja e trojeve të tyre prej ujit që derdhet nga kaskada e “dritës”, nuk po rresht as shiu dhe as dueli i shpatave të ndryshkura të politikës sonë. Të dy skuadronet e rreshtuara në politikëbërje, pa e prishur vendosjen përballë njeri-tjetrit që kishin në kulmin e etheve të fushatës zgjedhore, vijojnë të përplasin llamarinat që kanë në dorë, duke rendur mbi çatitë fantazmagorike të shtëpive fshatare e qytetare të rrethuara nga uji që rend të mbulojë çati të tjera. Dhe, pas dy korifenjve të gjatë të skuadroneve të tkurrura të politikës, turren si në një pjesë teatrore moderne gazeta e aradha hyzmetçinjsh të posteve partiake e qeverisëse, siç duket për të mbushur orët bosh të syve të spektatorëve mendjehumbur nga ç'shohin e ç'bëhet. Ata që kanë lënë nën ujë trojet e tyre me shtëpi e bagëti, me plaçka e katandi, mbartin brenda çizmeve pikëllimin e vet dhe rendin të rrëmbejnë nga ndihmat ndonjë bukë a ndonjë kile sheqer, apo të shpëtojnë ndonjë shqerrë e të gjejnë ndonjë shishe ujë për buzët e përvëluara të pleqve e fëmijëve që u është tharë loti. Më janë të neveritshme deklaratat mburravece të qeveritarëve në këtë masakër të antijetës mbi jetën. Më janë të neveritshme deklaratat qurravece të krerëve të opozitës në këtë shkretim ujor që antijeta i bën jetës. Ecejaket lugëzbrazur neper terrenet e mbuluara nga uji nuk sjellin bukë. Qeverinë nuk e kemi skuadër shpëtimi! Qeverinë nuk e kemi fond bamirësie, që shpërndan ndihmat që mblidhen! Qeverisë nuk i japim taksat dhe nuk e paguajmë si të tillë, që të bëjë llogaritë, me paratë e qytetarëve do dëmshpërblejë apo jo fatkeqët e kësaj tragjedie!... Nuk arrijmë dot as të qeshim me shakanë e pakripë të rrogës së falur qeveritare në dobi të të përmbyturve. Qeverinë e kemi që të shohë përpara në kohë dhe të administrojë e të derdhë ato që ne paguajmë si taksa apo që kemi ndërtuar si pasuri për sigurinë dhe për mirëqenien tonë. Jo të përmbytur, por që të mos përmbytemi! Opozitën nuk e duam të jetë çangë alarmi për paudhësitë e qeverisjes që i shohim edhe ne qytetarët! Opozitës nuk i është dhënë vota opozitare të jetë një shpatë druri në një dyluftim të humbur. Nuk ka nevojë ky vend për një mëkëmbëse të qeverisë, ka nevojë për një opozitë të fuqishme dhe për shpresë. Nuk arrijmë as të mallëngjehemi me thërrimet e mbledhura poshtë e përpjetë qyteteve e fshatrave të vendit si një shoqatë bamirësie. Ne kërkojmë një opozitë që të jetë atje ku nuk është qeverisja, dhe atje ku qeveria ka mbyllur sytë a i janë mbyllur sytë. Dhe, të jetë "Atje" në kohën e duhur, nëse lufton për besimin tonë dhe jo për "besimin" e qeverisë. Disa kërkojnë për opozitë një mëkëmbëse të qeverisë. Disa, dhe për fat të keq të demokracisë në vend, këta "disa" janë tërë qeveria, shumë-shumë "mendimdhënës të pavarur", por dhe shumë "opozitarë" që qeveria mund t'i bëjë pa drojë dhe deputetë të saj. Dhe, këta "disa" mendojnë dhe dëshirojnë një opozitë në shtrungë. Unë nuk e kam fjalën për një opozitë në "shtrungë", unë dëshiroj një opozitë atje ku jetohet dhe atje ku duhen vënë gozhdë për të ngecur punët e mbrapshta të qeverisjes. Sot opozita duhet të jetë tek janë klithmat e atyre që u digjet shpirti për trojet e tyre të përmbytura: tek ata që janë evakuuar e nuk kanë trajtim të mjaftueshëm, dhe tek ata që nuk janë evakuuar e janë shmangur nga trajtimi, tek ata që kërkojnë të ndërtojnë të nesërmen e tyre mbi gërmadhat e një përmbytjeje dhe tek ata që nuk i zë gjumë për fatin e fëmijëve të tyre… Opozita duhet të jetë tek ata që qeveria nuk ua ka dëgjuar zërin fare apo u shpie disa litra ujë, ca miell e karamele gjumëndjellëse. Në fakt, opozita duhet të kish qenë përpara qeverisë në kaskadën e Drinit dhe të kish ulërirë me sa zë që kish për çka përgatitej atje. Dhe, ajo që përgatitej atje nuk ishte punë Zoti, por punë pazoti. Dhe, "pazoti" nuk ishte kaskada e Drinit që jep dritë vërteti, por kaskada e Drinit që jep korrupsion vërteti. Dhe, korrupsioni vërteti është vërtet atribut vetëm i qeverisjes. Dhe, korrupsioni vërteti është edhe qorrllëk i opozitës. Dhe, korrupsioni prej vërteti i qeverisjes as nuk fillon, dhe as nuk mbaron tek nëntori i vitit që shkoi, me blerje a me mosblerje korrenti. Korrupsioni i qeverisjes në energjetikë është materializuar tek politika e saj, që fillon me shmangien nga ndërtimi të hidrocentraleve të Bushatit e të Skavicës si kompensatorë të rezervës ujore dritëdhënëse të kompleksit hidroenergjetik të Drinit, dhe kthimi i vëmendjes në burimet termodiesel të energjisë, që janë në fakt segment i "katastrofës ekologjike" dhe transferim teknologjish të lëna pas në vendin fqinj, vijon me mungesën e plotë të investimeve në rrjetin e shpërndarjes së derdhjeve ujore përgjatë zonës ujëmbledhëse të Drinit e Bunës dhe në sektorin e marrëdhënieve të Bunës me Adriatikun, dhe mbyllet me menaxhimin jo sipas projektit të rezervës ujore të fundvitit të kaluar. Një kompleks gabimesh të rënda politike në një periudhë goxha të gjatë kohe, dhe ndërhyrje kriminale administrative në teknikën e zgjidhjes së problemeve në periudha të shkurtra kohore, janë punët e vërteta "të pazota" që sollën këtë katastrofë të paparë në historinë e vendit. Dhe, ky kompleks gabimesh të rënda politike si dhe ndërhyrjet kriminale administrative në teknikën e zgjidhjes, janë natyrisht punë të qeverisjes dhe jo të opozitës. Opozita zuri një fill dhe u fut në barrikadë. Filli qe "manipulim në kutitë e zgjedhjeve" dhe barrikada qe, "nuk shkoj në parlament pa hapur kutitë e votave". Tërë qeveria, shumë-shumë "mendimdhënës të pavarur", këmbëngulin se "populli i besoi votën qeverisë, ndaj s'ka pse hapen kutitë". Logjika na thotë që, nëse vërtet i ka fituar qeveria zgjedhjet, hapja e kutive është thjesht formalitet transparence. Dhe, nuk ka pse të mos bëhet transparencë në një situatë demokratike. Nëse nuk bëhet transparencë - një mishmash alogjik i pafytyrë ky, jemi në një situatë jo demokratike. Edhe pse vishet me dredhira të tjera juridike, kjo qëndresë qeveritare antidemokratike në fakt synon të këputë fillin ku është lidhur opozita. Dhe, është çudi si nuk është këputur ende ky fill, kur edhe një pjesë e lidershipit opozitar është turrur me dhëmbë për ta këputur, nga dashuria për karriget e parlamentit dhe për luftën brohoritëse parlamentare. Natyrisht, nëse opozita e lë këtë fill fillikat, ai do të këputet dhe do të rikthehet normaliteti i luftës së shpatave të ndryshkura plot zhurmë dhe "kurrë më!" do të këndojë korbi i zi në dritaret e Tivu-ve, "për tridhjetë vjet të tjera" - thotë qeveria. Që filli të mos mbetet fillikat, është në dorë të opozitës dhe jo të qeverisë. Në fakt, në luftën e sotme politike në vend, me gjithë dështimet e vijueshme, përparësitë i ka qeveria, që për çudi nuk konsumohet siç ndodh rëndom në vendet demokratike. Nuk e quaj "lojë", siç është në fakt, jo sepse kështu thirret rëndom në ditët tona të sotme të mbushura me rrena, por "luftë politike", sepse në fakt e tillë duhet të jetë, për arsye të problematikës së fortë e thuajse konstante që mbart demokracia jonë me tranzicion të pandalur me ecje në vendnumëro. Dhe, është "lojë" artistike a sportive, nuk ka rëndësi, se kështu i intereson qeverisë për të qeverisur siç qeveris. Dhe, qeveris me papunësi dyshifrore që tmerron vendet perëndimore në krizën e ditëve të sotme, me pensione e paga minimale ende të vendeve të botës së tretë e çmime që i aviten tregut europian, me një bujqësi tërësisht të paralizuar dhe sistem energjetik në nivelet e dyzet vjetëve më parë, me një fshat që braktiset përditë e qytete të ngurtësuar në darën e kufijve artificiale të 50 vjetëve më parë, ku betoni rritet në përmasat e një xhungle frymëmarrëse, me investime private që adresohen tek dyqanet, klubet, lojërat e fatit, karburantet, me rini që frekuenton kafenetë mëngjes e darkë e lë bosh auditorët, me produkt të përgjithshëm bruto që rritet nga shërbimi i ndërlidhjes me letra të dërguara e tela fjalësh, me një qeveri që lëviz nga Enveri tek Zogu… shkurt me një shpresë që venitet në një luftë titanike për mbijetesë të secilit qytetar të këtij vendi. Në një "tokë të tillë të uritur", ata që qeverisin, por mjerisht edhe ata që bëjnë opozitë, në vend që të thurin një pyll të fuqishëm idesh për të kapërcyer menjëherë kufijtë e dëshpërimit dhe për të vënë në udhë energjitë që po bjerren, turren nëpër turinjtë dhe xhepat e njeri-tjetrit si xhepaxhinj autobusësh urbanë. Filli "manipulim në kutitë e zgjedhjeve" nuk është i vetmi fill, dhe opozita nuk duhet ta lërë të vetëm nëse nuk do që ky fill të këputet. Zërat e trishtuar brenda opozitës, që me argumentet e qeverisë nën nuanca të formimit që kanë dhe interesave personale të tyre, u bien daulleve të "zërit ndryshe", synojnë në fakt që të këputet dhe ky fill dhe jo të shtojnë në të mirë të vendit rrjetën për të zënë paudhësitë qeverisëse. Asnjë propozim serioz publik nga këta njerëz që militojnë, nuk di për ç'arsye, në radhët e opozitës, nuk kemi parë, megjithëse janë prej kohësh në kupolë e kanë drejtuar ministri. Një shembull i thjeshtë, jo për zbavitje, natyrisht: Qeveria në vijimësi të mbajtjes së pushtetit, trumbeton me zë buçitës rritjen e pandalshme të pagave dhe pensioneve. E dyfishuam, thotë, dhe synojmë më lartë në hierarkinë europiane. Pensionistët ankohen, ankohen ata që nuk kanë punë e rrojnë me ndihmë sociale, ankohen dhe ata që kanë paga të ulëta. Dhe, këta nuk janë pak, por më se dy të tretat e popullsisë së vendit. Ky ankim nuk ka asnjë përgjigje reale për një ndryshim të shpejtë edhe nga opozita. Do të ishte ajo në gjendje që me të "marrë" pushtetin, me një akt të vetëm, dhe jo vit pas viti të rriste tri deri katër herë pagën minimale dhe pensionin në hierarkinë e vet? Që të arrinim të paktën tek gjysma e pagës minimale dhe pensionit që merren në Poloni, ku këto parametra diku nga viti 1992 i kishim të njëjta, e ku sot mendohet të ulen pensionet e larta të ish- komunistëve nga dymijë e ca euro në një mije e ca. Kjo po! Do të ishte një "zë ndryshe" dhe një korrigjim i politikës ndryshe. Kjo po! Do të ishte një fill tjetër në litarin që duhet të ndërtojë opozita për të rrëzuar jo bustin, por qeverisjen që e konsideron të mbrapshtë, të korruptuar e që e padit në prokurori. Kjo po! Do të ishte një reformë që afronte Shqipërinë tek Bashkimi Europian dhe shqiptarët tek vatra e tyre Shqipëria. Dhe, të tilla po! Ka shumë që duhen shtruar e duhen bërë realitet në këtë shtëpinë tonë që i fryn era nga të katër anët e i futet ujët e shiut ngado…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›