E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Akuzat e socialistëve, shpifje qesharake

TIRANE- Ministri i Energjitikes, Dritan Prifti, reagon ndaj akuzave të socialistëve lidhur me përgjegjësinë e përmbytjeve në Shkodër, duke i cilësuar si shpifje qesharake të pabaza. Përmes një konference për shtyp në orët e pasdites kreu i Energjetikës theksoi se rregullorja për menaxhimin e Kaskadës së Drinit u zbatua me përpikmëri, ndërsa nënvizoi se pak ditë përpara fillimit të shkarkimeve kishte folur në një konferencë të posacme për shtyp për gjendjen e rënduar në hidrocentrale. Prifti sqaroi akuzat e socialistëve për udhëtimet e tij jashtë vendit duke thënë se udhëtimet në Turqi janë bërë me lejen e kryeministrit për shkak të problemeve shëndetësore. “Kam qenë disa herë në Turqi gjatë muajit dhjetor me leje të kryeministrit dhe kam lëshuar urdhëra të posacëm për të menaxhuar situatën. Edhe sot babai im ndodhet në Turqi sepse ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Unë nuk kam moralin e Edi Ramës të braktis familjen në mënyrën si e ka braktisur ai. Kam qënë dëshmitar personal kur Meta i tha Ramës, duhet të takosh fëmijën tënd. I ka thënë Meta se nëse nuk do takosh djalin tënd nuk do te jesh kandidat i PS-së për Bashkinë e Tiranës. Nuk ka më tolerim me këta njerëz që vetëm shpifin, që pengojnë integrimin. Prokuroria ka filluar të merret me këtë cështje dhe besoj se e vërteta do të dalë shumë shpejt”, theksoi Prifti. Në Asamblenë Kombëtare socialistët hodhën akuza ndaj kryeministrit Berisha dhe Ministrit Dritan Prifti për situatën e krijuar në Shkodër, ku si pasojë e shkarkimeve në hidrocentrale u zhytën nën ujë mijëra hektarë tokë e mijëra banesa. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›