Jeremiç: Mesazhet e Merkel, do të kenë pasoja strategjike

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i ka kërkuar presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, të përdorë ndikimin e tij në Bosnjë e Hercegovinë, në mënyrë që “përfaqësuesi i saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të përkrahë qëndrimet e Beogradit, në lidhje me situatën aktuale në Kosovë”.
Pas takimit me Dodikun në Banja Llukë, Jeremiç tha se mesazhet për statusin e Kosovës dhe parakushtet për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, të cilat i ka theksuar kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Beograd, do të kenë pasoja strategjike për rajonin e Ballkanit.
Jeremiç konfirmoi se do të marrë pjesë në seancën e së hënës të Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet për Kosovën.