Jeremiç: Serbia jo në BE pa e pranuar shtetin e Kosovës

Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur shtetin e pavarur të Kosovës.
“Katër ministra të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian më kanë thënë se Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së derisa dhe formalisht nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Ndoshta jo nesër, por gjithsesi para se të pranohemi në BE”, ka thënë Jeremiç për mediat serbe.
Serbia ka dështuar të marrë statusin e kandidatit për BE më 9 dhjetor, për shkak të kundërshtimit nga ana e Gjermanisë, ushtarët e së cilës në kuadër të KFOR-it janë plagosur nga serbët e rebeluar në veri gjatë heqjes së barrikadave.
Këshilli i ministrave i BE-së do të marrë vendimin në mars të vitit të ardhshëm nëse Serbisë do t`i jepet statusi i kandidatit, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe do të shikohet nëse Serbia po implementon marrëveshjet e arritura me Kosovën gjatë dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Zv.kryeministri serb, Bozhidar Gjeliç menjëherë pas dështimit të marrjes së statusit kandidat më 9 dhjetor, dha dorëheqjen, ndërsa më vonë kishte deklaruar se nuk ka garanci se Serbia do të marrë statusin e kandidatit as në muajin mars.