Jeremiç: Serbia nuk do të pajtohet me humbjen e Kosovës
Oliver Ivanoviç, duke marrë pjesë në një emision të mëngjesit të sotshëm të Radio-Televizionit të Serbisë, u ka bërë thirrje serbëve të Shterpcës që të “qetësojnë pasionet”
Ministri i Jashtëm serb flet për “New York Times”
Në një intervistë që i dha ditët e fundit gazetës amerikane “New York Times”, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, theksoi edhe një herë tjetër se Serbia nuk ka ndërmend të pajtohet me humbjen e Kosovës. Ai vuri në dukje se Kosova është “Jerusalemi serb”. “Energjia që ne kemi derdhur anekënd botës lidhur me këtë çështje ka habitur mjaft njerëz që nuk prisnin se ne do ta bënim një gjë të tillë”, vuri në dukje shefi i diplomacisë serbe në gazetën e mirënjohur të lartpërmendur amerikane, e cila, nga ana e saj, nënvizon se Jeremiçi është përpjekur mjaft ashpër lidhur me Kosovën, duke lobuar aty ku ka pasur mundësi nëpër botë kundër njohjes së pavarësisë së saj. Gjatë dy viteve të fundit, ministri i Jashtëm serb, Jeremiç, ka vizituar më shumë se 90 vende, ndërkohë që në vitin 2009, duke udhëtuar nëpër botë me aeroplan, ka kaluar në ajër afro 700 orë ose plot 29 ditë, saktëson gazeta në fjalë në shkrimin e saj, ku, midis të tjerave, thuhet se Serbia, sidoqoftë, e ka ndryshuar imazhin e saj, duke i dhënë vendit një fytyrë më të re. Duke theksuar se Jeremiçi, për këtë arsye, është bërë, megjithëse vetëm 34 vjeç, një nga politikanët më popullorë në Serbi, “New York Times” vë në dukje se, nga ana tjetër, ai është bërë objekt kritikash nga ana e kundërshtarëve të tij si nacionalist, i cili ndryshe sillet në botën e jashtme dhe krejt ndryshe në planin e brendshëm në Serbi. “Personalisht, unë nuk mendoj se jam nacionalist”, thotë lidhur me këto kritika Jeremiçi, duke theksuar se ai është gjysmëboshnjak dhe gjysmëserb. Sipas tij, fakti që ai është i ri si ministër nuk përbën aspak pikën e dobët të tij, por përkundrazi i jep epërsi. “Kur jeni i ri dhe shkoni diku për herë të parë, shumëkush habitet kur ju sheh”, pranon ai, duke vazhduar më tej se “kjo është diçka e mirë, sepse i bën më të hapura mendjet e dëgjuesve që janë kureshtarë të dëgjojnë se çfarë do t’u thuash”. Pyetjes së “New York Times” se çfarë do të kërkojë Serbia nëse fiton procesin gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës lidhur me vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe se a do të mund ta detyrojë Serbia në këtë rast Kosovën që të ulet edhe një herë tjetër në tryezën e bisedimeve, ai refuzoi t’i përgjigjej. Jeremiçi në intervistën e tij vuri në dukje se ai mendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre gabuan në politikat e tyre para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, se, në vend që ta shqyrtonin më mirë këtë problem, ata imponuan zgjidhjen e tyre. Në fund të shkrimit, pasi kujton se Presidenti serb, Boris Tadiç, ka qenë dikur profesor gjimnazi i Jeremiçit, ndërsa tani është mentori i tij politik, gazeta e lartpërmendur amerikane qeverinë aktuale të Serbisë e cilëson si “qeverinë të deritanishme më të orientuar drejt Perëndimit”.
#