Jeremiç “kërcënon” Kosovën: Do pengojmë njohjet

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se diplomacia serbe sivjet do të vazhdojë të punojë në arritjen e zgjidhjes kompromise për Kosovën.
Në një intervistë për televizionin shtetëror RTS Jeremiç theksoi se diplomacia do të përpiqet të "kufizojë” numrin e njohjeve ndërkombëtare dhe të pengojë aderimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Do të përpiqemi të bllokojmë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjë që është objektiv i rëndësishëm për arritjen e zgjidhjes”.
Në pyetjen lidhur me raportin e Dick Martyt për “tregtinë me organe njerëzore” gjatë luftës në Kosovë, Jeremiç ka thënë se bëhet fjalë për “akuza të tmerrshme, të cilat duhet të hetohen”.
“Nevojitet hetim ndërkombëtar. E vërteta duhet të dalë në shesh, ajo nuk mund të fshihet”, tha shefi i diplomacisë serbe.