E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora zbret në Kukës, izolohen fshatrat e thella



KUKËS - Reshje dëbore, të shoqëruara me erëra të forta, kanë përfshirë rrethin e Kukësit në verilindje të vendit, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesin e sotëm. Reshjet e dëborës nisën në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, që në orët e vona të natës së kaluar, duke krijuar një trashësi prej rreth 10-15 centimetrash, ndërsa në qytetin e Kukësit reshjet e dëborës kanë nisur në orët e mëngjesit, të shoqëruara dhe me reshje shiu.
“Nga kontaktet me drejtuesit e pushtetit vendor, deri tani, veç mungesës së energjisë elektrike në disa zona, nuk ka shqetësime të tjera. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme”, - tha përgjegjësi i Zyrës së Emergjencës Civile në Prefekturën e Kukësit, Azem Tema. Ndërkohë, në akset kryesore rrugore janë shtuar postblloqet e policisë, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë, masë kjo e domosdoshme për të shmangur aksidentet. Si pasojë e erërave të fuqishme ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona të rrethit, si dhe në pjesën më të madhe të qytetit të Kukësit. Bora ka bllokuar akset nacionale që lidhin qytetin e Kukësit me 9 komunat e rrethit verilindor. Mësohet se trashësia e dëborës ka arritur në 40-50 cm. Komunat e bllokuara janë Kalis, Arrën Zapot, Curraj, Grykëçaj Ujmishti, Bushtrica, Topojani dhe Shishtaveci.

Qafë-Thanë, reshjet e borës pengojnë qarkullimin

Reshjet e dëborës kanë bllokuar rrugën në Qafë-Thanë, duke penguar kalimin e automjeteve, të cilat kanë krijuar radhë të gjata në këtë aks. Nga burime tona atje mësohet se ka dhe rrëshqitje të disa automjeteve por fatmirësisht pa lënduar njerëzit. Ndonëse ulja e temperaturave ishte paralajmëruar disa ditë më parë, organet vendore nuk kanë marrë asnjë masë për të parandaluar bllokimin e rrugëve.

Përmbyten qindra shtëpi te Bregu i Lumit

Shtëpi të shumta përgjatë Bregut të Lumit në periferi të Tiranës, janë përmbytur si pasojë e vërshimit të ujërave nga reshjet e dendura që ranë në të gdhirë të ditës së shtunë, ndërsa banorët e tyre nuk kanë ku të qëndrojnë. Përmbytjet kanë prekur veçanërisht banesat që janë ndërtuar pranë shtratit të lumit, në zonën e Babrroit, por edhe në Paskuqan. Sipas banorëve, vërshimi i ujit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Një banore shprehet se përmbytja ka ndodhur brenda pak minutash dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi të shpëtojnë orenditë, por ndjehen me fat që shpëtuan fëmijët.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›