E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: Negociata të reja për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç është shprehur në një intervistë për BBC-në se e vetmja rrugëdalje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës. Kështu, Serbia ka hedhur përsëri mbi tryezë propozimin për zhvillimin e negociatave me Prishtinën për të vendosur me kompromis për të ardhmen e saj. Sipas shtypit serb, Beogradi zyrtar do të ishte i gatshëm të shqyrtonte ndarjen e Kosovës si një alternativë zgjidhjeje.
Megjithëse Jeremiç ka hedhur poshtë njoftimet se ndarja e Kosovës mund të jetë njëra nga zgjidhjet, ai thotë për BBC-në se nuk do të përjashtojë asnjë alternative, nga një tryezë e mundshme e bisedimeve.
"Kosova do të mbetet në një gjendje pezull dhe e vetmja rrugëdalje nga kjo gjendje pezull do të jetë nëpërmjet negociatave me Serbinë. Ne jemi të gatshëm për këto negociata. Ne mund t'i fillojmë këto negociata për statusin, apo nëse mund të themi, t'i rifillojmë këto negocita për statusin, që tani. Ata nuk janë gati", tha shefi i diplomacies serbe Vuk Jeremiç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›